Nga: SUZANA VARVARICA KUKA*
Në këtë fund viti, më 23 dhjetor 2015, në Galerisë Kombëtare të Kosovës (GKK) në Prishtinë prezantohet Realizmi Socialist Shqiptar, si një trupëzim figurativ i krijuar në kohën e diktaturës komuniste dhe kjo ndodh për disa arsye që duken edhe të theshta. Pas në kohë, kur një ngjarje ndodh, mendojmë se dimë më shumë rreth situatës që ajo ka shkaktuar. Diktatura komuniste ishte një situatë dhe në mënyrë krej të vetëdijshme pranojmë se populli shqiptar ka jetuar nën këtë diktaturë dhe ka bërë jetë politike, ekonomike, sociale, kulturore, të cilën ajo, ia kushtëzoi në mënyrë të detyrueshme. Kultura artistike e diktaturës komuniste shqiptare u formua sepse organizmi politik shtetëror monopartiak e veçoi metodën e realizmit socialit lindor si një e të vetëm dhe e mbrojti atë me forcën e diktaturës së proletariatit. Sot, duke qenë me të dijshëm dhe më të vetëdijshëm mund të themi se: Arti në diktaturë është art politik, është arti i trysnisë dhe i pushtetit të diktatorit maniak, që shpallet monark i monoparticizmit, monark i arsyetimit dhe shtypës i mendimit të lirë.

Ky art lindi sepse funksionoi metoda e realizmit socialist, të cilin reken të mos e quajnë art, madje ta barazojnë me atë metodë. Kam idenë se do të mbetet arti i angazhuar i epokës komuniste shqiptare, ku e mira, pra arti, si dhe e keqja, pra angazhimi komunist, bashkëjetuan. Një art i tillë u zhvillua dhe u duk gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX në Shqipëri, kur artistët, vendi dhe masat popullore shqiptare e kryen jetën nën diktatin komunist të Enver Hoxhës. Arti i asaj kohe u quajt: Realizmi Socialist. Kuptimin e këtij termi, i cili do të mbetet ende i paqartë në shpjegimin e fjalorëve të terminologjisë mbi artin, në një kuptim të përgjithshëm do të thotë teoria zyrtare dhe kriteri i vetëm i vlerësimit të veprave të artit dhe të letërsisë. Nëse koha shkon, mbetet historia, e cila konservohet në fakte, ide dhe imazhe.

Realizmi
Realizmi socialist është një sistem shumë i rëndësishëm dhe pjesë kryesore në historinë shqiptare të shek. XX. Jo thjesht imazhi, por tema, subjekti e personazhi, e bëjnë atë një segment kryesor për t’iu referuar si kohës së shkuar ashtu dhe nivelit dhe llojit të aftësive të njeriut për të bërë art. Realizmi Socialist Shqiptar u kthye në një sistem imazhesh figurativ të cytura nga një politikë imagjinare e frikshme dhe utopike. Kjo e bëri artin figurativ në socializëm të cilësohej si një metodë realizimi dhe jo si një drejtim artistik i lindur nga kërkesa për tu shprehur emocionalisht mbi të përditshmen njerëzore. Metoda e realizmit socialist u gatua në 1932 në Bashkimin Sovjetik, shteti burimor i shumë situata socialiste diktatoriale. Pas Luftës së Dytë Botërore iu dha e drejta të kontrollonte të gjitha shtetet monopartiake të botës mbarë. Për Perëndimin e asaj kohe Shqipëria ishte vend shumë i varfër, feudal dhe pjesë e vendeve socialiste të Evropës Lindore.

Si e tillë, në kulturën e saj të çalë, u transferua në institucionet administrative dhe prodhuese një kulturë e re, një kulturë socialisto-sovjetike, që përfshiu të gjithë vendin dhe absolutisht edukimin dhe artin figurativ. Më pas kulturën shqiptare e pushtoi kultura komuniste maociste e Kinës. Pas një kulture figurative të pakët naivo-realiste të viteve 40-të, por në kahun e duhur të zhvillimit, të ardhur nga akademitë perëndimore të artit, artistët shqiptarë ndjenë trysninë ideologjike të metodës së realizmit socialist. Ajo nuk do t’i lejonte më artistët të ishin të lirë në zgjedhjet e tyre.

Metoda kishte si qëllim, që përmes imazheve të përçohej propaganda e ideologjisë komuniste të PPSh, të përpunohej heroizimi diktatorial dhe të formohej fizionomia ireale e njeriut të ri. Ky trupëzim figurativ duhej të përshkonte të gjitha dejet e zhvillimit të vendit nga qendrat qytetare deri në lokalitetet ruralë më të largët të jetës shqiptare. Metoda e realizmit socialist u kthye në një panflet udhëzues për artistin, në një teori bazë për edukimin dhe formimin e artistëve të rinj. Ajo mori ekzistencën e një dokumenti partiak, ku artisti gjente temat, subjektet dhe personazhet e parapërcaktuar, që do të merrnin formën e imazhit përmes ngjyrave, volumeve dhe kontrasteve të së bardhës dhe të zezës. Kjo situatë figurative, sot është e ngurtësuar dhe konservohet si një pasuri e pamatë në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, një pjesë e së cilës prezantohet në ekspozitën “Realizmi Socialist Shqiptar” në GKK, Prishtinë.

PËRSE KY ART NË GKK TË PRISHTINËS?
Për disa arsye si ato të domosdoshme dhe ato të njohjes. Nëse iu referohemi rradhëve të pleniumeve të kongreseve të PPSh do të zbulojmë origjinën e tij dhe kuptojmë sesi ideologjia komuniste e ktheu artin në shërbim të politikës dhe kulturën në një makinë megallomane, ku çaste të rëndësishme të historisë humbin përmbajtjen e realitetit të jetuar dhe deformoheshin sipas vullnetit të diktaturës. Shqipëria komuniste u trashëgua nga një Shqipëri feudale, pa institucione të arsimit të lartë, pa artin e madh. Komunizmi lindor e gllabëroi dhe socializmi prodhoi “Realizmin Socialist Shqiptar”, që është një lloj sistemi imazhesh apo produkte veprash arti, të krijuara nga artistët e edukuar në shkolla akademike realiste të Bashkimit Sovjetik dhe jo vetëm.

Kjo ekspozitë do ti tregojë pjesës sonë shqiptare të ndarë nga një kufi shqiptar, situatën e arteve pamore në komunizëm, të ndryshëm nga situata e artistëve shqiptar të Kosovës, zhvilluar në të njëjtën kohë. Disa parime të kurimit kanë pasur kujdes ta rishprehin atë situatë duke rishikuar temat, subjektet dhe personazhet, që Realizmi Socialist Shqiptar paraqiste me prioritet.

Ekspozita rishpreh efektin e ndërhyrjes së propagandës komuniste në çështje të krijimtarisë artistike, duke e zgjedhur artistin si intelektualin shërbyes dhe të nënshtruar ndaj politikave kulturore dhe mbi të gjitha ndaj atyre më të rezikshmeve, fushave të edukimit të brezit të ri, që do të thotë krijimit të njeriut të ri si një makinë me tru të shplarë nga pavarësia në mendim, nga imagjinata e lirë dhe kreativiteti i bollshëm. Propaganda shpalli se njeriu i ri ishte njeriu i përkryer komunist.
Ekspozita shpreh efektin e ngjyrës së kuqe. Edhe kur ajo ishte e pakët është e pashmangshme në çdo tabllo. Një parullë, një yll, një flamur, një bluzë, një kanotjerë, një kapelë, një libër, një shall, një qilim, një xhaketë, një fund, një fustan do të jetë me ngjyrën e kuqe.

Sepse në këtë ekspozitë është bërë kujdes të mësojmë rreth simboleve komuniste të cilat ishin: dora grusht dhe këmbët e hapura, kuptonte pushtetin dhe arrogancën e diktaturës komuniste; duart lart e të hapura, fitoren dhe entuziazmin komunist; flamuri që valvitej e i mbajtur lart nga duart, fitoret e PPSH ndaj armikut të mbrendshëm dhe të jashtëm; parrullat e shkruara në pjesët e lartme të pikturave, pushtetin e vetëm të diktaturës komuniste; arma mbi supe, mbrojtjen e atdheut nga imperializmi dhe revizionizmi; libri i hapur apo i mbajtur në dorë, mësimet e vetme ishin ato të partisë. Duken qesharake, por kjo ekspozitë tenton ti tregojë duke i rishikuar.

Sepse ekspozita referon se cilët ishin personazhet kryesorë. Një vend të rëndësishëm zënë njerëzit e krahut të punës, punëtorë e fshatarë, të rinj e intelektualë, me të cilët u abuzua dhe rreth këtij abuzimi, dalja nga sistemi komunist tregoi sesa të varfër ishin personazhet e këtij arti. Edhe pse në ekspozitë ka një anashkalim të qëllimshëm ndaj prezantimit të portretit të liderit komunist ndodhet vetëm një portret i diktatorit Hoxha, i pikturuar në mjedisin e shtëpisë ku u themelua partia komuniste, e që mbase të gjithë sot, e pranojmë se ishin çastet fatkeqe të kombit shqiptar.

Sepse ekspozita i sugjeron publikut për njohje rreth temave të cilat lidhen ngushtë me historinë dhe heronjtë e Shqipërisë në disa shekuj, por që shpesh herë ata u kodifikuan si heronj “komunist”, sepse kjo i shkonte përshtat propagandës komuniste. Në se nuk e njohim mirë historinë dhe shohim pikturën e heroit Skënderbe, Shote Galicës, të heroit partizan apo të heroit të punës, do të ngatërrojmë kohën kur jetuan. Por duhet thënë se në çështjet e mia të kurimit dhe studimit kam gjetur se një lloj megallomanie pozicionale e trupit të njeriut me emër të fund shek. XIX dhe fillim shek. XX, i cili merrte drejtqëndrim para artit të ri të fotografisë, është trashëguar fuqishëm në artin e Realizmit Socialist Shqiptar. Gjithashtu ekspozita rishpreh temat e luftës, punës prodhuese dhe ndërtuese, edukimit, mbrojtjes dhe sportit, për të gjitha moshat.

Sepse ekspozita ka për qëllim të rishpreh se metoda e realizmit socialist shqiptar ishte personifikim i artit të asaj kohe, që do të thotë mungesa e plotë e krijimtarisë së lirë, ishte sugjerim në tema, subjekte dhe personazhe, ishte orientim në stilin krijues. Vetë metoda e realizmit socialist e ka në ballin e të shkruarit. Stili duhej të ishte realist, pra stili kufizohej me formën figurative e të lexueshme. Ajo duhej të prezantonte objekte natyrore në formën e tyre të kuptueshme dhe sa më të afërt. Ndërsa përmbajtja ishte socialiste, që do të thotë prezantimi i temave, ideve dhe subjekteve sipas strukturës dhe platformës së zhvillimit të politikave kulturore që kontrollonin nga lart poshtë të gjithë jetën e vendit.

Sepse ekspozita ka përqëllim të tregojë se si artisti u kthye në një levë të rëndësishme në duart e udhëheqësve politik. Së pari duke i bërë artistë aktivistë, të angazhuar dhe komunist dhe së dyti PPSH i shpalli shërbëtor intelektual të zbatimit të politikave të partisë komuniste në interes të drejtëpërdrejtë të konsolidimit të shtetit diktatorial, por edhe në shërbim të frikrave që mbulojnë diktatorin e vetëm shtetar.
Gjithashtu ekspozita është e ndërtuar me gjinitë kryesore të kohës si: kompozimi, portreti, peizazhi industrial dhe kooperativist. Ndërsa format e shprehjes teknike janë piktura, skulptura, pllakati, grafika dhe vizatimi.

Konkluzioni i kurimit tim ishte se:
Realizmi Socialist në vende të ndryshme të botës komuniste ka sjellë të ndryshëm vetëm strukturën tipologjike njerëzore nga vendet që i krijuan, pra figura në skulpturë e një ushtari kinez ndryshon nga ajo e një ushtari shqiptar në strukturën anatomike, sepse fryma emocionale që na transmetojnë është e njëjtë.

Në tërësinë e këtij sistemi imazhesh të prodhurara nga metoda e realizmit socialist në mbarë botën e artit, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe të dhjetra viteve pas saj, Realizmi Socialist Shqiptar, edhe pse i përfunduar, bën pjesë me vetësinë e tij, e cila ka frymë individuale e të dallueshme në qasje të subjektit. Cilësitë estetike, si më kryesoret në art, janë plotësisht të njëjta me të gjitha metodat zyrtare të realizmit socialist të vendeve komuniste.
*Studiuese
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb