Trishtim i madh ka përfshirë skenën muzikore botërore dhe fansat e grupit legjendar Scorpions, pas lajmit të ndarjes nga jeta të ish-basistit të tyre, Francis Buchholz, në moshën 71-vjeçare.
Muzikanti i njohur gjerman ndërroi jetë pas një beteje me kancerin, lajmi u bë publik të enjten përmes një postimi në rrjetet sociale nga bashkëshortja e tij, Hella. “Me trishtim të thellë dhe zemër të thyer njoftojmë se i dashuri ynë Francis ndërroi jetë dje pas një beteje personale me kancerin. Ai u largua nga kjo botë në paqe, i rrethuar nga dashuria”, shkruan familja.
“Gjatë gjithë kësaj beteje, ne i qëndruam pranë, duke u përballur me çdo sfidë si familje – ashtu siç na mësoi ai.”
Familjarët falënderuan gjithashtu fansat në mbarë botën për dashurinë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Buchholz-it ndër vite.
“Edhe pse instrumentet me tela kanë heshtur, shpirti i tij jeton në çdo notë që luajti dhe në çdo jetë që preku”, thuhet më tej në mesazhin prekës.
Një karrierë e jashtëzakonshme muzikore
Francis Buchholz lindi më 19 shkurt 1954 në Hanover të Gjermanisë. Në fillim të viteve ’70 ishte pjesë e grupit Dawn Road, së bashku me Uli Jon Roth, Jürgen Rosenthal dhe Achim Kirschning. Më pas, të gjithë iu bashkuan Scorpions, bashkë me Klaus Meine dhe Rudolf Schenker, duke shënuar fillimin e një epoke të artë për grupin. Buchholz ishte një nga figurat kyçe të Scorpions gjatë periudhës së tyre më të suksesshme. Ai kontribuoi në çdo album të publikuar nga viti 1974 me “Fly to the Rainbow” deri në “Crazy World” në vitin 1990.
Linjat e tij karakteristike të basit janë pjesë e disa prej hiteve më të mëdha të historisë së rock-ut, si “Rock You Like a Hurricane”, “Still Loving You” dhe “Wind of Change”. Në vitin 2012, Buchholz u rikthye në skenë duke bërë turne me ish-kitaristin e Scorpions, Michael Schenker, në projektin Temple of Rock. Me ndarjen e tij nga jeta, muzika rock humbet një emër të madh, ndërsa trashëgimia artistike e Francis Buchholz do të mbetet e gjallë për breza të tërë fansash.
