Nga Entela Labaj *
Artriti Remautoid është sëmundje autoimune dhe kronike, që prek kyçet dhe indet përreth kyçeve. Pra, është një inflamacion i tyre. Më shpesh preken kyçet e duarve, gishtave, këmbëve, gjunjët. Artriti Remautoid është simetrik dhe zakonisht preken të dyja kyçet njëherësh. Në disa raste preken disa kyçe, por nuk përjashtohen dhe rastet kur preken të gjitha kyçet e trupit. Më tepër preket seksi femër dhe raporti është 3 me1. Ekzistojnë dy tipa Artritesh Remautoid: i hershmi, që zgjat më pak se tre muaj dhe Artriti Remautoid i diagnostikuar, ku janë të pranishëm shenjat e inflamacionit. Faktorët e rrezikut janë: gjenetika, mosha, pirja e duhanit, etj.

Dhe mënyra e të ushqyerit është një faktor kryesor, prandaj duhen shmangur sheqeri, drithërat, më shumë se tri kafe në ditë, lakto-globulinat, gluteni. Këta faktorë, nxisin inflamacionin dhe keqësojnë gjendjen. Artriti Remautoid, si sëmundje sistemike kronike e artikulacioneve dhe indit lidhor, prek sytë dhe organet e brendshme. Sëmundja shoqërohet me inflamacion të membranave sinoviale, që shkakton edemë, dhembje, ngurtësim si dhe humbje të funksionit të nyjave. Sëmundja prek më tepër moshat 25 deri 50-vjeçare. Simptomat e sëmundjes janë: ngurtësimi mëngjesor, edema (enjtja e kyçeve), dhembje e kyçeve, skuqje dhe nxehtësia e lëkurës së artikulacioneve, lodhja e përgjithshme, mungesë e oreksit, vështirësi në lëvizje, temperaturë subfebrile.

Në fillim preken artikulacionet e vogla, siç janë kyçet e gishtave të dorës dhe të këmbës dhe më vonë artikulacionet e mëdha, siç janë: gjunjët, bërrylat, ato midis shpatullës dhe krahut (scapulo-humerale), intercostale (të brinjëve), ato të nofullave (mandibulare). Shenjë tjetër klinike është dhe skuqja e lëkurës së duarve (eritema palmare), gjithashtu skuqje deri në ngjyrë mavi të gishtave të duarve dhe në bazën e thonjve. Shenjë e dallueshme e Artritit Remautoid janë dhe deformimet e kyçeve, të cilat në prekje janë shumë të dhimbshme dhe të nxehta. I sëmuri me artrit ndjehet i lodhur, pa energji, nuk ka oreks, ka një rënie të peshës trupore, ka djersitje, çrregullime të gjumit. Ata zgjohen në mëngjes me kyçe të ngurtësuara dhe pak nga pak dhimbja vjen duke u lehtësuar. Artriti Remautoid diagnostikohet në bazë të anamnezës klinike, duke u bazuar në shenjat përkatëse të sëmundjes dhe në bazë të një sërë ekzaminimesh laboratorike, të dhëna nga mjeku specialist remautolog dhe rentgenit. Për parandalimin e kësaj sëmundjeje janë mënyrat e shëndetshme të jetesës dhe ushqimit, si dhe mbrojtja nga infektimet.

Në qoftë se vihen re shenjat e para të lartpërmendura, nevojitet konsulta e mjekut të familjes. Ushqimet që duhen konsumuar më shpesh janë: fruta dhe perime, peshk, arra dhe patate. Rekomandohet dhe përdorimi i vajit të peshkut Omega 3+6+9, sepse ushqen kockat dhe ul dhimbjet. Dhimbjet në kyçe zvogëlohen duke bërë ushtrime të lehta çdo ditë dhe nga pak. Ushtrimet aerobike dhe të notit janë shumë efikase. Disa nga ushqimet efikase për të luftuar Artritin Remautoid janë: majdanozi, i cili ndikon në lehtësimin e simptomave, xhenxhefili, i cili përmban disa elementë kimikë që ndihmojnë shumë kundër simptomave të artritit remautoid, por nuk duhet tepruar me të, pasi xhenxhefili hollon gjakun (kjo është e vlefshme për personat që marrin mjekim për hollimin e gjakut. Vaji i peshkut përveç tabletave, merret edhe nga sardelet, trofta, salmoni i egër dhe efikasiteti i saj është se redukton simptomat. Konsumimi i saj duhet të jetë dy herë në javë. Selino është një bimë tjetër e rëndësishme për artritin remautoid, sepse përmban minerale të rëndësishme si kalium, zink, kalcium, hekur. Selino përmban polycetylene, që lehtëson dhimbjet. Çaji jeshil përmban vitaminë K dhe ndihmon në qetësimin e dhimbjeve.

Brokoli, gjithashtu është një ushqim efikas për artritit remautoid, për përmbajtjen e lartë të beta-karotenit, selenit, vitaminat C, A, E, zink, kalium. Për mjekimin e artritit duhen patur parasysh disa këshilla: kryerja dy herë në javë e ushtrimeve të lehta gjimnastikore, marrja e multivitaminave, pirja e sa më shumë çajrave dhe bimëve jeshile, përdorimi i ujit mineral, përdorimi i frutave dhe perimeve, përdorimi i antiinflamatorëve, paracetamolit. Kalciumi dhe vitamina, të marra tableta qetësojnë dhimbjet e kockave. Këshillohet shpesh edhe estrogjeni. Ushqimet duhet të jenë të pasura me fibra, jo shumë proteina (mishi, veza etj.), yndyrnat e kufizuara. Kompresat në vendin e dhimbjes, janë qetësues i mirë.
*Autorja është mjeke

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: