Pedagogu dhe eksperti i ekonomisë, Artur Bibaj, ngre shqetësimin për pasojat ekonomike të protestave në Tiranë, duke theksuar se përtej dëmeve materiale, situata ka krijuar pasiguri te konsumatorët, bizneset dhe investitorët. Sipas tij, institucionet shtetërore duhet të kishin reaguar më shpejt për të garantuar sigurinë dhe vijimësinë e aktivitetit ekonomik.

“Është kthyer frika, paralizimi i veprimtarive dhe i transaksioneve të kryera” shprehet Bibaj, duke përshkruar vështirësitë me të cilat janë përballur bizneset gjatë ditëve të protestave.
Ai tregon se pasiguria ka ndikuar edhe në ofrimin e shërbimeve, ndërsa disa aktivitete janë kufizuar për shkak të situatës. Sipas tij, në raste të caktuara, transporti i mallrave është penguar nga vonesat në kryerjen e pagesave dhe transaksioneve.

“Një furgon pret për të transportuar mallra në drejtim të Shqipërisë dhe qëndron i bllokuar aty derisa të shkojnë paratë” shpjegon ai, duke nënvizuar se problematikat e krijuara kanë përfshirë një numër më të madh biznesesh, sesa pasqyrohet nga dëmet e raportuara deri më tani.

Për Bibajn, situata nxori në pah dobësitë e shtetit në menaxhimin e krizave dhe përçoi pasiguri te qytetarët.

“Njerëzit kanë të drejtën të protestojnë, por ata që menaxhojnë këtë shtet nuk mund dhe nuk duhet të lejojnë që situata të degradojë në këtë mënyrë. Nuk mund të presim të ndodhë tymi dhe flaka e më pas të kujtohemi për zgjidhje dhe paketa mbështetëse” thekson ai.

Reagimi i bankave dhe pasojat për investimet

Duke komentuar dëmet e shkaktuara në banka dhe biznese, Bibaj vëren se reagimi i Shoqatës Shqiptare të Bankave ishte i vonuar. Sipas tij, dëmet materiale të bankave mbulohen përmes kontratave të sigurimit, ndërsa rreziqet kibernetike dhe kufizimet në shërbime përbëjnë shqetësime të tjera për sistemin ekonomik.
Ai kundërshton mundësinë që këto pasoja të përkthehen në kosto shtesë për klientët.

“Radha nuk është faji i bankave, por i mosfunksionimit të shtetit. Shteti duhet të sigurojë mbarëvajtjen e rregullt dhe të sigurt të aktivitetit ekonomik”, shprehet Bibaj.
Sipas tij, kufizimet në shërbime krijojnë vështirësi për konsumatorët dhe pengojnë veprimtarinë e bizneseve. Ai paralajmëron gjithashtu se situata të tilla ndikojnë në perceptimin e investitorëve të huaj për Shqipërinë.

“Çdo investitor i vlerëson kostot dhe rreziqet përpara se të vendosë nëse do të vijë apo jo. Investitorët seriozë nuk preferojnë vende ku duhet të menaxhojnë vazhdimisht probleme të brendshme politike apo pakënaqësi të qytetarëve” argumenton ai.
Bibaj nënvizon se shqetësimet për ecurinë e turizmit ishin të dukshme edhe përpara protestave, ndërsa situata e fundit mund të rëndojë më tej klimën e investimeve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb