TIRANË- Gazetari investigativ, Artur Çani i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, deklaroi se reforma në drejtësi do të miratohet, pasi ajo është një investim direkt i amerikanëve. “Nëse do dështonte reforma, dështonte edhe politika amerikane”,- tha ai.

Çani tha se edhe vetë Zv.sekretarja amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland do të vijë në Tiranë për të dhënë ultimatumin e fundit, njësoj siç bëri me Ukrainën.

Gazetari shton më tej dhe thotë se Rama është i gatshëm ta kalojë reformën me apo pa mbështetjen e LSI, ndërsa do të propozojë për President Fatos Nanon.

“Unë mendoj se Rama ka disa skenarë në mendjen e tij, i pari është të pranojë propozimin e ri të Bashës, i rakorduar edhe me Nuland që njeri të heqë dorë nga diçka, tjetri nga diçka tjetër. Varianti tjetër është të supozojmë që reforma nuk votohet, do ketë krizë qeveriste, është skenar disi i komplikuar e vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Skenari i tretë është që Rama të shkojë në këtë 21 korrik i fuqishëm për ti bërë karshillëk edhe Metës dhe Bashës. Mundësia e vetme është që Rama të rikuperojë PS, burime pranë Ramës më kanë thënë se në datë 12 ai do anoncojë se do mbështesë kandidaturën e Nanos si president. Do tërhiqet për të bërë shkrirje mes PS dhe Rilindjes. Do afrojë ata që ka neglizhuar dikur. Do përpiqet të rikuprojë edhe Blushin”.

“Rama do t’i thotë Metës ose votoni reformën ose dal më vete, ky është presion që i bëhet Metës dhe partive të tjera të vogla. Rama do bashkojë PS me këta të tjerët. Duke pasur nanoistët me vete, dhe PS-istët e rinj Rama krijon një numër të madh votash dhe të fuqishëm”,- vijoi Çani.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: