Ditën e sotme i është dhënë lamtumira e fundit dhe është përcjellë për në banesën e fundit gazetari dhe analisti i njohur Artur Zheji, icili ndërroi jetë dy ditë më parë.
Gazetarja Klara Buda ka ndarë në rrjetet sociale një foto të të ndjerin të rreth 30 viteve më parë, ndërsa ka kujtuar një intervistë të bërë në kohën kur në Shqipëri sapo ishte përmbysur diktatura dhe sapo kishte nisur të “aplikohej” fjala e lirë.
“Do të mungosh për shqipen e bukur dhe erudite që flisje…për inteligjencën dhe ironinë e holle…Lamtumirë Artur Zheji”, shkruan gazetarja.
Postimi i plotë:
Një çast i rrallë i viteve 1992–1993, në Shkup: në të djathtë kolegu Artur Zheji, për Radio Radikale në Romë, në mes Eshref Aliu, deputet i Partisë për Prosperitet Demokratik në parlamentin e parë pluralist të Maqedonisë së veriut, dhe në të majtë unë Klara Buda për Radio France Internationale në Paris. Të tre gazetarë, pasi Eshref Aliu kishte qenë gazetar i “Flakës”.
Kjo tryezë e vogël ishte dëshmi e një momenti të madh, kur fjala e lirë shqipe sapo fillonte të merrte frymë në Ballkan. Zgjedhjet e para të lira pas pavarësisë së Maqedonisë na bashkuan në një intervistë të përbashkët me Eshref Aliun, atëherë ministër i Kulturës. Ai ishte shumë entuziast në bisedën me ne të dy, sepse partia e tij, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), e para parti shqiptare e regjistruar në ish-Jugosllavi, shënonte atëherë fillimet e pluralizmit politik.
Me Zhejin ndonëse jo gjithmonë dakord, në atë intervistë u gjendëm në harmoni të plotë. Aq sa Eshrefi, nga ritmi “tak-o-tak” na tha se dukej sikur e kishim parapërgatitur intervistën. Në fakt, intervistat, të destinuara për dy radio të ndryshme, nuk mund të ishin identike, por aty ndodhi diçka më e madhe: një rezonancë, ku secili nga ne e reformulonte me përsosmëri pyetjen e tjetrit, dhe regjistrimi qe i vazhduar. E ruaj ende atë intervistë në arkivin tim; Radio Radicale e mban në arkivat e saj online.
Sot, po të mund të ndërhyja në epitafin e Zhejit do të doja të ndërkallja (fjalën “ndërkallje” e familjarizoi në gjuhën gazetareske, aty ku shumica rendom ende përdor “insert”) këtë frazë: do të mungosh për shqipen e bukur dhe erudite që flisje…per intelegjencen dhe ironine e holle…Lamtumirë Artur Zheji
