Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Shuhen shpresat e të dënuarve dhe paraburgosurve për amnisti. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto, tha se nuk do të ketë amnisti, duke u dhënë kësisoj një lajm te “hidhur” qindra të dënuarve dhe të paraburgosurve në vend. Zoto e bëri deklaratën pas nënshkrimit të një marrëveshje me Shërbimin e Provës.
“Nuk do të ketë amnisti. Në muajin prill të këtij viti ne e bëmë një amnisti, e cila ishte gjithëpërfshirëse, me bazë shumë të gjerë. Mendoj se nuk është edhe në orientimin e politikave penale, aplikimi shumë shpejt i amnistive. Ne kemi theksuar, jemi të orientuar tek aplikimi i dënimeve alternative”, tha Zoto. Deklarata e kreut të Burgjeve, duket se u lë tashmë në dorë të dënuarve të shpresojnë për ndonjë falje të mundshme nga Presidenti i Republikës.
Mbipopullimi
Në përfundim të nënshkrimit të marrëveshjes me Shërbimin e Provës, e cila në fokus të saj ka zhvillimin e fushatave informuese e ndërgjegjësuese me personat e dënuar, për mënyrën sesi mund të përfitojnë nga dënimet alternative, kreu i burgjeve Zoto theksoi se mbipopullimi në burgje dhe paraburgime është shqetësues. Aktualisht sipas Zotos, numërohen mbi 1000 të dënuar mbi kapacitetin e lejuar. Por, nga ana tjetër theksoj se është hartuar një strategji për zgjidhjen e këtij problemi shqetësues dhe me marrjen në dorëzim të dy burgjeve të reja, situata do të normalizohet. “E kemi shprehur se mbipopullimi ngelet problem shqetësues për veprimtarinë e institucionit tonë. Edhe nënshkrimi i kësaj marrëveshje me Shërbimin e Provës, kishte për qëllim aplikimin e dënimeve alternative, me qëllim uljen e mbipopullimit në institucionet tona. Padyshim që ne kemi strategjinë përkatëse. Një ndër këto strategji është se së fundmi kemi kategorizuar institucionin ‘Ali Demi’, një institucion vetëm për gratë, që do të thotë se kemi krijuar më shumë hapësira në paraburgimin 313. Po menaxhojmë dhe institucionet e tjera. Me ngarkesën që kemi po përpiqemi të respektojmë edhe detyrimet që rrjedhin qoftë nga legjislacioni dhe nga rregullat europiane të burgjeve”, tha Zoto. Mandej ai theksoi se pikërisht për të ulur mbipopullimin, është vënë theksi te dënimet alternative dhe jo ato me burgim. Ndërsa mbipopullimi nuk do të jetë më një problem, pas marrjes në dorëzim të dy burgjeve të reja, në Berat dhe Fier, që pritet të “popullohen” me persona në konflikt me ligjin muajt e parë të 2015-ës.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
