Gangsterët në Çikago apo Shqipëria në kohën e tritolit, Trusti i Lulelakrës apo grupi kanabis, pak rëndësi kanë emrat, thelbi mbetet njëlloj. Si dy shekuj më parë me nazizmin gjerman, po aq edhe dy shekuj më vonë në Shqipërinë aktuale e kudo. “Arturo Ui”, vepra më jetëgjatë dhe më e suksesshme e Bertold Breht, vjen premierë këtë fundjavë në skenën e Qendrës Kulturore “Tirana” (Teatri i Metropolit), nga regjisori Armand Bora dhe një kast aktorësh me eksperiencë në skenat e teatrit.
Skenografi shumëngjyrëshe e kostume të tilla. Eksperiment në masën e duhur, Arturo Ui i Armando Borës, vjen në Teatrin e Metropolit me këngë e kërcim. Femrat vishen si burra, dhe anasjelltas, ndërsa reduktimet e tekstit janë bërë pa prekur thelbin.
Risjellja e kësaj vepre në skenën e Teatrit Metropol, për regjisorin Bora vjen me një përgjegjshmëri të madhe artistike, por edhe qytetare, pasi vepra i kujton qytetarit detyrën e tij ndaj kombit. Kasti i aktorëve që interpretojnë këtë vepër, duke nisur nga Arturo Ui e duke vazhduar me bashkëpunëtorët e tij, Xhivola, Gori e Roma, me anëtarët e Trustit të Lulelakrës dhe plakun e ndershëm Dogsburu, janë aktorë të cilët, pjekuria e tyre artistike, i jep siguri dhe garanci çdo regjisori, që të besojë te spektakli që realizon.
“Situata në drejtësi, situata ekonomike a sociale që kalon sot shoqëria shqiptare dhe jo vetëm ajo, përkon shumë me situatën e veprës së Brehtit. Gjykata dhe vendime gjyqësore, të cilat merren nën trysninë e kërcënimit dhe presionit nga bota e krimit. Luftë deri në eliminime fizike, brenda klanesh ekonomike dhe politike. Dëshmitarë, që deformojnë dëshminë e tyre apo dhe që eliminohen fizikisht, hapur dhe pa frikë. Këto janë ato që ndodhin në skenat e ndryshme të veprës së Brehtit, të cilat për koincidencë, i kujtojnë gjithsecilit raste, histori dhe personazhe reale”, – shpjegon regjisori arsyet e vënies së kësaj vepre në skenë.
Por për të nuk janë vetëm kaq! Për-mes elementëve të regjisë dhe lojës së aktorëve, regjisori ka arritur të për-cjellë dy ide qendrore. “Duam të theksojmë faktin që, me sistemet diktatoriale, lufta për pushtet zhvillohet më e egër në nivelet e dyta, pasi diktatori nuk vihet në diskutim. Lufta bëhet për trashëgimtarin, për numrin dy. Kjo ka bërë që ne të forcojmë linjën e konfliktit midis tre bashkëpunëtorëve të Arturo Ui-së; Romës, Gorit dhe Xhivolës. Por gjithashtu, për të shprehur idenë që, diktatorët nuk lindin, por ata i krijon shoqëria, duke i toleruar si të tillë, duke bashkëpunuar me ta, duke i sponsorizuar politikisht dhe duke i përdorur. Ne përpiqemi të analizojmë në këtë shfaqje dhe të evidentojmë momentet në të cilat gaboi shoqëria e asaj kohe, duke i krijuar mundësi nazizmit që të përhapej dhe zhvillohej. Mendoj se, në kushtet aktuale, është e rëndësishme që shoqërisë shqiptare t’i vihen në dukje disa rreziqe”, – thotë ai.
Teksti
“Vepra përçon mesazh të drejtpërdrejtë, prandaj në skenë është ruajtur të mos mbingarkohet ky mesazh, qoftë dhe me mënyrën se si i transmetohet publikut. Kjo ka bërë që vepra të ketë nevojë për elementët e spektaklit, siç është kërcimi, kënga, apo në një farë mënyre edhe forcimi i linjës së misionit të teatrit edhe si vend argëtimi”, – thotë Armand Bora, duke theksuar se vepra është ruajtur e paprekur nga origjinali.
“Ndërhyrje në tekst janë bërë në pjesën ku ka përsëritje, shpjegime të cilat vijnë në skenë përmes elementëve të tjerë dhe jo nëpërmjet fjalës, dhe në këtë kuptim, vepra është ruajtur e plotë, shkurtimet janë vetëm për efekt të një ritmi, i cili, si për aktorët, ashtu edhe për spektatorët, nuk mund të jetë i njëjtë me atë të periudhës në të cilën u shkrua vepra”.
Edhe kënga dhe koreografia janë pjesë përbërëse e teatrit të vetë Brehtit, për të cilat është punuar fort në këtë vënie në skenën e Teatrit Metropol. “Prezenca e muzikës ‘live’, për të cilën me aktorët ka punuar mjeshtri Oleg Arapi, po aq edhe kërcimi i drejtuar nga koreografi Arjan Sukniqi, ‘Arturo Ui’-në e përafron me një gjini tjetër të skenës, siç është muzikali me muzikë kabareje”, – shpjegon regjisori.
Karateja
Paralelisht, kasti i aktorëve të “Arturo Ui”-së kanë punuar gjatë edhe me Mjeshtrin e Lëvizjes skenike dhe Arteve Marciale, Enver Cakiqi. “Prezenca e karatesë nisi fillimisht si një aktivitet fizik për ta sjellë trupin e aktorit në kondicione të mira shprehëse, por më vonë gjeti vend gradualisht si një element artistik, duke u bërë pjesë e estetikës së shfaqjes. Një pjesë e madhe e mizanskenave dhe sjelljeve të aktorëve janë të estetizuara mes lëvizjeve të Arteve Marciale. Kjo e bën veprën që të klasifikohet te estetika e Teatrit Biomekanik të Meyerhold, të Eugenio Barba’s dhe Tadashi Suzukit”, – thotë Bora. Edhe kostumografia dhe skenografia e realizuar nga Laedia Hajdari, mbajnë të njëjtën linjë me mesazhet e vetë veprës. Ngjyrat e përdorura në kostumografi, e verdha, e kuqja dhe grija, përfaqësojnë qartësisht situatën në të cilën ndodhin ngjarjet, frikën, gjakun dhe tmerrin.
Vlen për t’u theksuar fakti se, aktorët në këtë shfaqje interpretojnë nga dy-tri role, gjë që e bën sa të bukur, edhe të vështirë interpretimin e aktorëve. Por më e veçanta është se aktoret femra luajnë personazhe meshkuj.
Kohët e Brehtit
“Arturo Ui” përshkruan historinë e karrierës së gangsterit Ui. Ajo është shkruar në vitin 1941 brenda tri javësh, gjatë kohës kur autori ndodhej në Helsinki, duke pritur marrjen e një vize për në Amerikë. Për herë të parë kjo vepër është vënë në skenë në vitin 1958. Shfaqja është një alegori shumë satirike e Adolf Hitlerit në Gjermaninë naziste, ngritja e të cilit përfaqësohet në paralel me atë të Arturo Ui-së së Brehtit.
“Arturo Ui” e Bertolt Breht, me regji të Armand Borës, skenë e kostume të Laedia Hajdarit, numrat koreografikë të Arjan Sukniqit dhe kontributin e Enver Cakiqit si mjeshtër i Lëvizjes Skenike dhe Arteve Marciale, vjen me muzikën e Oleg Arapit dhe interpretimin e aktorëve: Alfred Trebicka (Arturo Ui); Suela Konjari (Gori, Batçëri); Rozi Kostani (Xhivola, Flejk); Violeta Trebicka (Roma, Mëllberi, Avokati); Armela Demaj (Klarku, Dejzi, Aktori, zonja Baull); Kastrio Rramollari (Dogsburu, Gjykatësi); Laura Nezha (Prezantuesi, gazetari Tedreg, O’Kesei); Shyqyri Çaushaj (Shiti, Ina, Huku); Bruna Borova (Zonja Dëllfit); Erin Kujofsa (Zoti Dëllfit, Fish); Çlirim Denaj (Dogsburu i ri, Prokurori) dhe Aleksandër Nikolli (Fish, Zoti Dëllfit). Premiera është më 10 prill 2015, në sallën “Shekspir”, në orën 20:00, ku do shfaqet çdo fundjavë.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)
