Pas shumë zhurme dhe thuajse kaosi të krijuar rreth e brenda mazhorancës socialiste pas marrjes në akuzë të Belinda Balluku, Edi Rama veproi duke ndërruar gjysmën e qeverisë pas një mbledhjeje të stërzgjatur të grupit parlamentar. Befas, kur u duk se asgjë nuk do të ndodhte, megjithë presionin e madh të opinionit publik, ndërkombëtarëve, opozitës e pse jo edhe një pjese të PS-së, Kryeministri ndërhyri për të rikthyer qetësinë apo për të këmbëngulur në qëndrimin refraktar që u dallua gjatë fjalimit të gjatë që mbajti në prani të medias.

Por në fakt as nuk ktheu qetësinë brenda PS-së, as nuk qetësoi ndërkombëtarët dhe as nuk do të shfryjë presionin e opinionit publik. Dhe kjo për disa arsye që lidhen me emrat e larguar e të afruar brenda kabinetit, por që nuk përfaqësojnë asgjë tjetër përveçse kapitullin e radhës të sagës “ta shtyjmë sa ta shtyjmë”.

Le ta nisim me çështjen dhe statusin e Ballukut. Vërtet Rama e shkarkoi zëvendëskryeministren nga detyra, prej së cilës u pezullua nga SPAK dhe GJKKO me “bekimin” e Gjykatës Kushtetuese, por tashmë drejtësia nuk mjaftohet vetëm me kaq. Për zonjën Balluku është kërkuar heqja e imunitetit për t’i komunikuar një masë ende të paqartë heqjeje apo edhe thjesht kufizimi lirie. Pra, shkarkimi nga nr. 2 i qeverisë ishte një çështje e tejkaluar. E mesa kuptohet, PS nën diktatin e kryetarit nuk ka ndërmend ta marrë parasysh këtë kërkesë të SPAK.

Por më keq akoma, emrat e panjohur të emëruar ministra mbrëmjen e djeshme janë të gjithë njerëz të besuar të saj, çka e bën lëvizjen e Ramës një lëvizje nul. Pra, ndryshimet nuk ndryshojnë asgjë; madje, më keq akoma, e përkeqësojnë situatën pasi ekspozojnë më shumë pushtetin e pakufizuar të ish-zëvendëskryeministres në qeveri. E për më tepër edhe në PS, ku askush deri më sot nuk guxon të thotë një gjysmë fjale në publik se përse Rama nuk është më realisht kryeministër, por veç formalisht.

Edhe lëvizjet e brendshme janë bërë nën të njëjtën logjikë: kanë ndryshuar karriget qeveritare njerëz të lidhur me të ose që kanë hyrë në qeverinë e shtatorit me bekimin e saj. Në këtë kuptim, ndërkombëtarët, socialistët e pakënaqur dhe opozita kanë marrë një mesazh: “qentë le të lehin, karvani ecën përpara”. Sa për opinionin publik, do të ndërgjegjësohet që në dy-tri javët e para se e vetmja e vërtetë e ndryshimeve në qeveri është se nuk ka ndryshuar pikërisht asgjë.

Ndërkohë ka ndodhur edhe diçka akoma më e qartë në këtë drejtim. Largimi i Elisa Spiropali, që kishte nisur të përvijohej si kundërshtare e Ballukut në PS, ishte një sinjal se Rama jo vetëm që nuk është kryeministër real, por përdoret edhe si mashë për spastrime. Dhe jo një spastrim dosido. Bëhet fjalë për njeriun që këto gjashtë muaj ishte e vetmja anëtare e kabinetit që kishte mbajtur një nivel të kënaqshëm kontaktesh me partnerët perëndimorë, jo vetëm për arsye të funksionit. Sidomos me ata amerikanë, të cilët ndërkohë nuk kanë gjetur dot asnjë minutë kohë për takim zyrtar me Ramën që pas vizitës në Tiranë të Antony Blinken. Shtrëngimi i duarve në Bordin e Paqes për Gazën u zhvillua në kontekst shumëpalësh dhe jo dypalësh.

Por për të mos rënë gjoja në sy me këtë largim të vrazhdë të Spiropalit, Rama gjeti një zgjidhje për të shitur Toni Gogu si interlokutorin e ardhshëm. Por kjo lëvizje do të merrte kuptim vetëm nëse është e vërtetë që Rama ngatërron Erion Veliaj me Marco Rubio. Nejse, çështje keqkuptimesh!

Megjithatë, pavarësisht se gjasat e ndryshimit në mosndryshim janë të qarta, ka edhe ndonjë lëvizje që mund të ulë kostot e dëmeve që janë shkaktuar në fusha delikate, si për shembull në rastin e Ministrisë së Mbrojtjes. KAYO dhe kontratat e dyshimta të firmosura nën terr informativ e me partnerë më shumë se të dyshimtë, me largimin e Pirro Vengu mund të rishikohen e të kthejnë qetësinë me partnerët tanë ushtarakë. Pavarësisht se kjo do të varet nga vendimet e ministrit të ri, që me shumë mundësi do t’ia mësojmë emrin vetëm pasi të largohet nga detyra!

Megjithatë, një qeveri, për nga mënyra si ndërtohet në lidhje me emrat, tregon edhe integritetin e saj dhe të mazhorancës që e prodhon. Në këtë kuptim, rikonfirmimi i mediokritetit të përgjithshëm që e ka kapluar, duke i shtuar edhe një dozë akoma më shqetësuese anonimiteti politik e publik, e bën situatën më të rënduar seç ishte. Sepse vërtet largimi i Ballukut duket si valvul shkarkimi e presionit të krijuar, por në anën tjetër e delegjitimon akoma më shumë këtë qeveri dhe, për pasojë, vetë mazhorancën, e cila brenda saj ka ende disa personazhe me peshë legjitimiteti, si fjala vjen Erion Braçe, Blendi Çuçi apo Blendi Klosi. Asnjëri prej tyre nuk u pa e arsyeshme të rikthehej në kabinet.

E megjithatë, Rama e mbajti dorën duke mos përfshirë në qeveri Zeqine Çauçi apo ndonjë personazh tjetër të ngjashëm, që vërtet do të mbanin me gajret emisionet satirike dhe faqet e memeve në Facebook e Instagram, por do të na bënin të ndienim nostalgji për shoqen Lenka. Të paktën ajo ishte mjelëse e dalluar!

Si përfundim, mund të thuhet se cilësia shumë e dobët e përbërjes së qeverisë dhe pafuqia e Ramës për të ndërtuar një kabinet politik të pranueshëm për publikun, PS-në dhe ndërkombëtarët, vërtet e mbajnë qeverinë Rama në këmbë formalisht, por ndërkohë e kanë rrëzuar Ramën në thelb politikisht. Rama ka ikur, thjesht nuk po e kupton!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb