Juljan Shehu e ka nisur mjaft mirë sezonin në Poloni, teksa po tregon veten që në ndeshjet e para. Mesfushori i kombëtares ishte titullar në ndeshjen që skuadra e tij Vidzeu Lodz fitoi pastër 3-0 ndaj Katovices, duke zhvilluar një paraqitje të mirë.

Fillimisht, në minutën e 18-të ai dërgoi një top mjaft të bukur nga krahët për Bergjer, me këtë të fundit që shfrytëzoi në maksimum asistin e shqiptarit, për të dërguar topin në rrjetë.

Në fillimin e pjesës së dytë, Shehu u shfaq përsëri protagonist. 26-vjeçari realizoi gol në afërsi të portës, por festa nuk zgjati shumë, pasi  VAR anuloi gjithçka për shkak të një prekje me dorë të topit.


 

Në fundin e sfidës, nota 7.9 për lojtarin kuqezi, i vlerësuar si një nga më të mirët në fushë.

Në 3 ndeshjet e para të këtij edicioni, Shehu ka shënuar një gol dhe ka dhënë një asist. Për të, ky është sezoni i katërt te Vidzeu Lodz, ndërsa ka kontratë që e mban të lidhur me këtë klub deri në 30 qershor 2026.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb