Kristjan Kask luajti për herë të parë një ndeshje në Europë dhe për të ishte eksperiencë mjaft e mirë. Fantazisti nga Estonia u aktivizua nga Kalju si titullar kundër Partizanit, ndërsa edhe asistoi. Numri 6 ishte ndër të spikaturit e sfidës në Ligën e Konferencës.
Pas ndeshjes e shprehu hapur zhgënjimin për rezultatin, ndërsa ndoshta priste më tepër nga Partizani apo Kalju bëri shumë mirë. Megjithatë, në fund e mbylli duke treguar se në Shqipëri pret transformimin e Partizanit, duke përmendur edhe Mesin si shembull. “Rezultati nuk lë një ndjesi të mirë. Në fakt, ne ishim shumë më mirë. As nuk e prisnim. E dinim që ata luajnë me një mbrojtje poshtë dhe të përqendruar, por nuk mendonim që do të dominonim kaq shumë.
Kishim raste, por për fat të keq, nuk arritëm të shënonim më shumë se një gol. Fundja, kjo është Europa. Të gjithë dinë të luajnë futboll këtu, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Ndoshta është pak e tepërt të presësh që në Europë të krijosh edhe më shumë raste dhe më të pastra. Sot gjithçka mbeti tek zgjidhja e aksioneve sulmuese. Edhe unë vetë pata disa raste. Nuk ishte se u zgjova në mëngjes dhe më dridhej i gjithë trupi.
Ishte thjesht një ndeshje si gjithë të tjerat. Me skuadrën shkuam që dje në hotel, ishte pak më ndryshe. Por përgatitja ishte e njëjtë. Në Tiranë? Është e qartë që atyre ende nuk u ka nisur sezoni. Kjo mund të ndikojë disi. Por e dimë që ekipet ballkanike janë shpesh të tilla, këtu duket sikur nuk bëjnë shumë, pastaj shkon atje dhe përballesh me “Mesin”. Ka qenë gjithmonë kështu apo jo? Vështirë të thuash tani se çfarë do të ndodhë javën tjetër”, e mbyll Kask fjalën e tij.
