Shoqëria Civile i kërkon Kuvendit zbatimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut
Organizata të Shoqërisë Civile i janë drejtuar Këshillit të Mandateve dhe Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë zyrtare për shqyrtimin dhe zbatimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit parlamentar të deputetes Belinda Balluku.
Në deklaratën e tyre, organizatat shprehin shqetësimin se procedurat kushtetuese për trajtimin e kërkesave të organeve të drejtësisë rrezikojnë të zvarriten, të relativizohen apo të instrumentalizohen politikisht. Sipas tyre, Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit e përcaktojnë qartë rolin e parlamentit në këto raste si një kompetencë procedurale të kufizuar dhe të rregulluar nga afate, jo si hapësirë për debat politik mbi çështje penale.
Shoqëria Civile thekson se imuniteti parlamentar, sipas nenit 73 të Kushtetutës, nuk është një mburojë personale për t’iu shmangur drejtësisë, por një garanci funksionale për ushtrimin e mandatit, dhe nuk duhet të shndërrohet në pengesë për veprimtarinë e organeve të drejtësisë. Në reagim theksohet gjithashtu se çdo vonesë e pajustifikuar apo devijim nga procedurat kushtetuese cenon parimin e barazisë para ligjit, shtetin e së drejtës dhe besimin e publikut te institucionet demokratike. Organizatat rikujtojnë edhe qëndrimet e Bashkimit Evropian për trajtimin transparent dhe pa politizim të kërkesave të drejtësisë, në përputhje me kapitujt 23 dhe 24 të negociatave të anëtarësimit.
DEKLARATA
Shoqeria Civile kërkesë Këshillit të mandateve për zbatimin e kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku:
Në ushtrim të së drejtës kushtetuese për t’iu drejtuar organeve publike dhe në përmbushje të rolit tonë si organizata të shoqërisë civile për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interesit publik, po i drejtohemi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me mënyrën e trajtimit parlamentar të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, drejtuar Kuvendit për autorizim parlamentar në lidhje me deputeten Belinda Balluku.
Shqetësimi ynë buron nga rreziku që procedurat kushtetuese të parashikuara për trajtimin e kërkesave të organeve të drejtësisë të kthehen në objekt zvarritjeje, relativizimi ose instrumentalizimi politik. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit e kanë përcaktuar qartë rolin e Kuvendit në këto raste si një kompetencë procedurale, të kufizuar dhe të rregulluar nga afate, dhe jo si hapësirë për debat politik mbi çështje penale në themel.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 73, e ka konceptuar imunitetin parlamentar jo si mburojë personale për t’iu shmangur drejtësisë, por si garanci funksionale për ushtrimin e mandatit përfaqësues. Kështu, imuniteti nuk mund të shndërrohet në pengesë procedurale për ushtrimin e funksioneve kushtetuese të organeve të drejtësisë.
Po ashtu, kuadri ligjor që rregullon organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, në ndërthurje me parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, kërkon që pushteti legjislativ të ushtrojë kompetencat e tij në mënyrë që të mos pengojë, vonojë apo relativizojë ushtrimin e funksioneve kushtetuese të organeve të drejtësisë.
Çdo vonesë e pajustifikuar procedurale, çdo devijim nga procedura e përcaktuar në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit, si dhe çdo instrumentalizim politik i një kërkese penale, rrezikon të cenojë parimin e barazisë para ligjit, detyrimin kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës dhe besimin e publikut në funksionimin e institucioneve demokratike.
Në këtë kontekst, qëndrimet e përsëritura të institucioneve të Bashkimit Evropian mbi rëndësinë e trajtimit në kohë, transparent dhe pa politizim të kërkesave të organeve të drejtësisë përputhen edhe me angazhimet e Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimit të pavarësisë së drejtësisë, si pjesë e kapitujve 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Evropian.
Respektimi i procedurave kushtetuese në këto raste nuk përbën zgjedhje politike, por detyrim institucional të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Mandati përfaqësues nuk mund të përdoret për të krijuar pengesa procedurale apo perceptim mbrojtjeje ndaj askujt që përballet me drejtësinë. Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i rregullave procedurale janë themeli i besimit publik në institucionet demokratike.
PËR KËTO ARSYE, KËRKOJMË:
1. Thirrjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
2. Shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme brenda afateve kushtetuese dhe rregullore, pa vonesa apo ndërhyrje politike.
3. Respektimin e plotë të parimit se askush nuk është mbi ligjin, duke garantuar funksionimin normal, transparent dhe të paanshëm të procedurave parlamentare.
Qytetarët shqiptarë presin nga Kuvendi të ushtrojë kompetencat e tij në përputhje me Kushtetutën, shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike që Shqipëria ka zgjedhur të ndjekë. Çdo shmangie nga këto parime rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të përbëjë një hap pas në konsolidimin demokratik të vendit.
Me respekt Organizatat e Shoqërisë Civile:
Drejtësi Sociale
Qëndresa Qytetare
Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Scidev
Tek Bunkeri
HANA – Hand to hand Against Nation Apathy
Qyteti Im
ATA
