Pas pezullimit të çerdheve dhe kopshteve deri në 3 prill, në Tiranë janë anulluar edhe aktivitetet publike të parashikuara për Ditën e Verës dhe 100-Vjetorin e shpalljes Kryeqytet. Në kuadër të planit të masave për përballimin e situatës me Coronavirusin, kryebashkiaku Veliaj tha se ka nisur dezinfektimi në institucionet parashkollore. “Do të vazhdojmë me dezinfektimin; kur qeveria të njoftojë hapjen e tyre, do të jemi në një gatishmëri maksimale për të bërë një dezinfektim tjetër edhe para hapjes së tyre”, tha ai.
Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të reduktuar disa shërbime tek zyrat e Pritjes me Qytetarët, të cilat mund t’i marrin online ose përmes një telefonate pa pagesë në numrin 0800 0888. “Nëse ka një shqetësim, si ato që vijnë tipikisht në Bashkinë e Tiranës, një lokal që bën zhurmë poshtë pallatit, nuk ka arsye të vish tek zyra e pritjes me qytetarët. Mjafton të na njoftosh, do ia referojmë policisë. Ne duam t’i reduktojmë këto shërbime, kryesisht online ose me telefon. Vijmë ne tek njerëzit, nuk ka nevojë që dikush të vijë dhe të ekspozohet me qindra të tjerë në sallën e Pritjes me qytetarët, ndaj dua t’i theksoj faktit që kemi nr tel 0800-0888, hapur për çdo thirrje”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku lajmëroi edhe anulimin e të gjitha grumbullimeve masive, kulturore, sportive, tubime, koncerte, aktivitete, dëgjesa publike deri në datën 3 prill. Kjo përfshin gjithë aktivitetet e Ditës së Verës, koncertin e këngëtarit Maluma, i cili do të zhvillohet në muajin Qershor, dhe aktivitetet e 100 vjetorit të Tiranës Kryeqytet.
“Paniku është me i dëmshëm se vetë virusi. Te ruajmë qetësinë, janë marre disa masa, siç është mbyllja e shkollave. Ajo ishte një masë parandaluese. Kjo përfshin dhe kopshtet dhe çerdhet ne kemi dezinfektuar këto institucione do të bëhëm sërish dezinfektim, kur të jepen urdhrat për rifillim. Në momentin që qeveria do të njoftohej rihapjen e tyre, ne do të bëjmë dezinfektim para hapjes. Do të anulohen të gjitha aktivitetet, mbledhjet masive, si dhe festimet për ditën e Verës. Mezi e prisnim ardhjen e Malumës në Tiranë, por është anuluar çdo aktivitet deri në 3 prill. Ajo që duam t’ju kërkojmë qytetarëve është që epiqendra e virusit të Shqipërisë, ndaj do ju luteshim që kush vjen ngas vendet e rrezikut, të vetëkarantinohen. Kujtdo që ka ardhur në ndonjë prej këtyre zonave, të vetëkarantinohen. Unë jam shqiptar, jetoj në Ballkan, e njoh atë kuriozitetin që na shoqëron se; lali ça ka aty. Por i bëj thirrje shqiptarëve që të shikojnë punën e vet, të marrin masa. I kërkoj drejtoreshave të konvikteve që këto zona duhet të jenë të zbrazura deri në 3 prill. Deri sa nuk ka universitet, nuk ka asnjë arsye që të vazhdojmë të jemi të grumbulluar në këto ambiente. Tirana është shtëpia e tyre e të ardhmes, por jo shtëpia e tyre e momentin. Duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës, sapo të shpallet një datë për rihapjen e tyre.”, -tha Veliaj.
Po ashtu Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin dhënien e dorës, madhe edhe nëpër funerale apo dhe në ambiente të tjera.
“Ka disa aktivitete që menaxhohen nga bashkia e Tiranës, shërbimi funeral, celebrimet, disa shërbime të tjera, që ka disa tradita të mira shqiptare, që ne shkojmë, bëjmë për njëri tjetrin. Duke qenë se jemi në situatë emergjence që kërkohet në situata të tilla në tubime të mëdha, në takime ku duhet të japim dorën të ngushëllojmë përmes dhënies së dorës, do duhet të gjejmë mënyra alternative për të shprehur keqardhjen. Në çdo shërbim funeral, në Sharrë dhe në Tufinë, duhet të këshillojmë familjarët që ky nuk është momenti për të bërë ritualin e dhënies së dorës. Ky është një moment për të shtyrë pritjet dhe përcjelljet si në Sharrë dhe në Tufinë. Dua që të kemi një informacion publik”, theksoi kryebashkiaku.
(ed.me/BalkanWeb)
