Bayern Munich ka pezulluar për momentin negociatat për sulmuesin e Stuttgartit, Nick Woltemade, pasi oferta e tyre e dytë prej 50 milionë euro plus 5 milionë bonus është refuzuar. CEO i Stuttgartit, Alexander Wehrle, ka refuzuar jo vetëm ofertën, por edhe çdo takim me drejtuesit bavarezë, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi te drejtuesit e Bayernit.
Stuttgarti pranon të negociojë vetëm nëse u vjen një ofertë jo më e ulët se sa 65 milionë euro, shumë që konsiderohet e tepruar edhe nga vetë agjenti i lojtarit, Danny Bachmann, i cili kritikoi hapur qëndrimin e klubit. Për momentin, marrëveshja është e bllokuar. Nëse realizohet, ky do të ishte transferimi më i shtrenjtë mes dy klubeve gjermane, duke thyer rekordin e Upamecanos (42.5 milionë €).
Bayern Munich ndërkohë nuk kërkon të qëndrojë në pritje dhe është hedhur “në sulm” për sulmuesin kolumbian të Liverpool, Luis Diaz. Sipas asaj që raportojnë mediat në ishull, sulmuesi i ‘The Reds”është shumë pranë transferimit nga Liverpool në Mynih, pasi konkurrenca nga Barcelona është zhdukur për shkak të fokusit te Rashford. Me ardhjen e afërt të Hugo Ekitiké te Liverpool (operacion prej 95 milionë eurosh), situata është zhbllokuar.
Bayern është gati të bëjë një ofertë prej 90 milionë euro dhe ka arritur marrëveshje personale me sulmuesin kolumbian për një kontratë deri në 2029 dhe pagë prej 14 milionë euro në vit. Finalizimi i marrëveshjes është çështje orësh – bavarezët duket se kanë gjetur më në fund krahun e majtë të sulmit që kërkonin.
