Kreu i Hetimit Tatimor, Anton Martini ka mohuar çdo përfshirje në çështjen e hakerimit të SPAK.
Në një reagim ai ka deklaruar se nuk ka marrë, lexuar apo shpërndarë asnjë material të paligjshëm.
I përfshirë në dosjen hetimore që lidhet me grupin e komunikimit në WhatsApp, Martini i ka cilësuar akuzat ndaj tij si krejtësisht dashakeqe, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë rol në qarkullimin e materialeve të hakeruara, ku të pandehur janë Agim Ismaili, Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj.
Reagimi i plotë:
Anton Martini: Asnjë material nuk më ka ardhur. Asnjë material nuk kam lexuar, asnjë material nuk kam shpërndarë. Janë krejtësisht dashakeqe.
Në lidhje me përmendjen dashakeqe të emrit tim në disa shkrime të publikuara sot, që më lidhin me çështjen e daljes së disa akteve nga email-i i Prokurorisë së Posaçme, sqaroj se nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë dijeni për këtë fakt, në asnjë rrethanë.
Për këtë arsye, kam kontaktuar edhe prokurorin e çështjes, të cilit i shpreha shqetësimin tim lidhur me këto shpifje të pabazuara.
Gjithashtu, si ish-koleg i tyre, shpreh mbështetjen time të plotë për punën dhe integritetin e Prokurorisë së Posaçme.
