Partia Demokratike, me anë të zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli, ka denoncuar publikisht një tjetër rast që prek direkt interesat e qytetarëve shqiptarë.
Bëhet fjalë për qendrën më të madhe shëndetësore në vend, QSUNT,, që sipas PD-së, po kthehet në një qendër tregtare fitimprurëse. PD jep edhe emrin e funksionarit të PS-së, ish-deputet, që qëndron pas aferës.
Deklarata
Partia Demokratike denoncon publikisht një tjetër rast që prek direkt interesat e qytetarëve shqiptarë. Pa u shqetësuar për medikamentet jetësore që mungojnë qeveria e Edi Ramës i jep sigurisht prioritet ideve të të bërit biznes.
Kështu qendra më e madhe shëndetësore në vend QSUNT po kthehet në një qendër tregtare fitimprurëse.
Në shtator të vitit të shkuar FSHZH shpalli tenderin me objekt “Përmirësimi i transportit urban dhe parkimeve (Parkimi i QSUT): Ndërtimi i godinës së Parkimit Multifunksional me shumë nivele në Qëndrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT)”, procedurë e cila u fitua nga Salillari shpk me subjekt mbështetës ASL shpk , kundrejt vlerës 14 milion euro (me tvsh).
Kontrata e parashikuar të realizohet për 24 muaj përfshin dy ndërtesa, një parkim automjetesh 5 kate mbi tokë dhe 1 kat nën tokë, si dhe një hotel 5 kate mbi tokë për shërbimet e pritjes dhe logjistikës plus 1 kat nën tokë për ambjente teknike në funksion të tij.
Gjasat janë që menaxhimin e parkimit të ri mund ta kryejë Agjencia Ekonomike Mbështetëse e krijuar (në v.2018) nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, e drejtuar nga ish-zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.
Në krye të saj qëndron Alfred Dalipi, ish- zv.ministër i Mjedisit dhe ish deputet i PS-së. Kjo agjenci nisi aktivitetin e saj duke vendosur tarifa parkimi në QSUT, dhe tashmë është shndërruar në një strukturë që përveç parkimit të QSUNT menaxhon edhe parkime dhe projekte në të gjithë vendin, si
• Qendra e Zhvillimit të Turizmit në Valbonë, Tropojë
• në Vermosh, Malësi e Madhe
• Kompleksi Agroturistik në Belsh
• Godina e Parkimit në Berat, në Sheshin “Teodor Muzaka”
• Qendra e Zhvillimit Rajonal në Korçë
• Godina e Parkimit në Gjirokastër, në Sheshin “Çerçiz Topulli”.
