Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar ashpër pas rrethimit të zyrave të News24, Panorama dhe Gazeta Shqiptare nga policia, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të papranueshëm dhe kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit.
Sipas AGSH, bllokimi i ambienteve të punës së gazetarëve përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, të garantuara nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Ndërhyrja e policisë, që pengon punën e gazetarëve, është një presion i hapur mbi median e lirë,” thuhet në deklaratën e organizatës, e cila i bën thirrje institucioneve shtetërore të ndërpresin menjëherë këtë aksion dhe të garantojnë aksesin e gazetarëve në vendin e punës.
AGSH apelon gjithashtu ndaj organizatave vendore dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes që të monitorojnë nga afër situatën dhe të reagojnë publikisht.
“Çdo konflikt me televizionet private duhet të zgjidhet me mirëkuptim dhe jo me forcë,” përfundon reagimi.
