Presidenti rus Vladimir Putin ka fajësuar Perëndimin për fillimin e luftës në Ukrainë, sakaq pretendon se Rusia u përgjigj me forcë “për ta Ndalur atë”.
Në një fjalim që përshkruan qëllimet e tij me afrimin e përvjetorit të parë të konfliktit, Putin tha se Ukraina ishte në bisedime me Perëndimin për armët përpara se Rusia të pushtonte fqinjin e saj më 24 shkurt të vitit të kaluar.
Po ashtu, ai njoftoi se Rusia po pezullonte pjesëmarrjen e saj në një traktat kyç bërthamor me SHBA-në, i cili kufizon arsenalin strategjik bërthamor të të dy palëve.
“Do ta përsëris, ata e filluan luftën dhe ne përdorëm forcën për ta ndalur atë”, tha lideri rus.
Më tej tha se Kievi zhvilloi bisedime me Perëndimin për furnizimet me armë përpara se të fillonte “operacioni special ushtarak”, siç e quan Moska.
Do të doja të theksoja, kur Rusia u përpoq të gjente një zgjidhje paqësore, ata po luanin një lojë të pistë me jetët e njerëzve”, tha ai.
Putin tha se Rusia vendosi “të mbrojë popullin dhe historinë e saj” duke kryer një “operacion special ushtarak hap pas hapi”, pasi ai paralajmëroi se Moska “do të vazhdojë të zgjidhë objektivat që janë para nesh”.
Fjalimi i tij erdhi një ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden bëri vizitën e tij të parë në Ukrainë që nga pushtimi rus, pasi Uashingtoni premtoi 500 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin.
(BalkanWeb)
