Kreu i Grupit të PS Taulant Balla, në fjalën e tij në Kuvend u shpreh se opozita nuk ka kufij me propozimet e saj, që sipas tij nuk kanë shifra konkrete.
Balla drejtuar kryetarit të komanduar të PD Enkelejd Alibeaj tha se shqiptarët nuk i kanë votuar që të ulen taksat për të.
“Opozita nuk ka kufi në propozimet e veta dhe duke qenë me duar nëxhepa mund të bëjë pafund propozime. Ju nuk dhatë një vlerë për propozimet tuaja. Ne propozuam 350 mln dollarë që shkojnë për njerëzit e zakonshëm. Këtu kishte qëllim të hiqet taksa, jo mor zoti Alibeaj unë dhe ti do ta paguajmë naftën me çmimin e tregut, ndërsa qytetarëve që lëvizin me urban do t’ja subvencionojmë. Ne nuk jemi këtu që mua dhe ty të na ulet çmimi. Unë dhe ti do ta paguajnë çmimin sipas tregut. Ata që lëvizin me urban jo. Ndërsa sa i përket ndihmës ekonomike kemi rritur skemën e ndihmës.
Nuk ka qeveri në Europë që të subvencionojë 80 % të faturës së energjisë elektrike. Për ne deputetët për ata që kanë paga të larta ka ardhur koha të heqin dorë nga salltanetet dhe të përballojnë situatën. Ju keni ardhur me një paketë që i varfri dhe i pasuri të përballen njësoj, por ne jemi PS dhe për ne ka rëndësi i varfëri”, tha ai.
