TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar dhunimin e një biznesmeni në qendër të Shijakut. Berisha thotë se në narkoshtetin e Kakistokracisë ligjin e bëjnë bandat.
Sipas ish-kryeministrit biznesmeni është rrahur nga një ‘i fortë’, i cili e ka gjobitur pesë herë atë por policia e ka lënë të lirë.

Vetë biznesmeni rrëfen në mesazhin e tij dërguar Berishës se e ka denoncuar disa herë por pas marrjes në pyetje autori i sulmit ndaj tij lirohet. Më tej ai thotë se nuk është i vetmi që kërcënohet e shantazhohet dhe kërkon garanci për jetën nga shteti. Me gjithë denoncimet sipas tij, personi në fjalë del dhe fillon përsëri të njëjtat situata. “Është mik me policët e zonës. Më parë ka pasur një lokal të tijin ku mbante policët me dreka dhe me të pira, prandaj ata e mbështesin gjithmonë… Kjo herët a vonë do çojë në vetëgjyqësi. Më mban vetëm fakti që dua të çoj përpara punën që kam për të mos e lënë familjen me borxhe”, shkruan biznesmeni.

Videoja e postuar nga Berisha tregon se si biznesmeni qëllohet në makinën e tij dhe më pas dikush që e sheh se po filmonte i ndalon.

STATUSI I BERISHËS
Rrihet shtazërisht nga i forti në qendër të Shijakut biznesmeni!
Miq, në narkoshtetin e Kakistokracisë ligjin e bëjnë bandat.
Shikoni videon se si të fortit në Shijak, rrahin biznesmenin në qendër të qytetit.
I forti e ka gjobitur pesë herë atë por narkopolicia ka ndarë paratë e gjobave me të dhe gjithnjë e ka lënë të lire. Kjo është klima e biznesit në Narkoshtetin e Kakistokracisë! sb
Zoti Berisha! Ju uroj të jeni mirë dhe të na ndihmoni sa më shumë dhe pse në opozitë.

Para dy vjetësh në një vizitë pune në Itali, takova një zotëri që merrej me zanatin tim, bujqësi dhe kishte pasur problemet e mia. Shteti dhe policia atje e kishin ndihmuar kundër mafies së zonës së Puglias dhe e kishin dekoruar për qëndresën që kishte pasur karshi tyre. Në të njëjtën situatë ndodhem unë prej 7 muajsh.

Të fortë të zonës së Shijakut, me vënë gjoba, kërcënojnë dhe dhunojnë fizikisht. Forca e shtetit =0. Me gjithë 5 denoncime karshi personit në fjalë, personi në fjalë vazhdon i lirë me kërcënimet shantazhet dhe gjobat karshi meje dhe punonjësve të mi. Kam 7 muaj që paguaj taksa, rroga dhe nuk punoj dot. Arsyeja e lirimit të tij, është sepse unë nuk kam pasur akoma dëmtime aq të rënda sa të arrestohet ai njeri. Ai quhet Ndriçim Arapi dhe mesa duket është ai kryekomisari i policisë së Shijakut.

Unë zoti Berisha, e filloj ditën e punës në 5 të mëngjesit dhe e mbyll në 10-11 të darkës, për të arritur të paguaj kreditë rrogat dhe qiratë e gjithçka bëj. Jo vetëm që ky shtet s’po më ndihmon sado pak të më lehtësojë barrën, por të paktën të na sigurojë qetësinë sepse mbahet me taksat tona.

Unë nuk pres që të dekorohem për qëndresën time ndaj kryekriminelit të Shijakut, por të paktën, të me sigurohet garancia për jetën dhe vazhdimësinë e punës që të mos i ngelem njeriu borxh.

5 herë e kam denoncuar për kërcënimet dhe gjobvëniet e tij dhe asnjëherë nuk e kanë arrestuar. Del dhe fillon përsëri të njëjtat situata. Është mik me policët e zonës. Meë parë ka pasur një lokal të tijin ku mbante policët me dreka dhe me të pira, prandaj ata e mbështesin gjithmonë. Në 2018-ën ndërtoi pa leje pranë stallës së tij dhe askush si tha asgjë. Nuk di emër konkret se kush e mbështet, por më bën përshtypje fakti që dhe pas 5 denoncimesh, ai lirohet përsëri. Kjo herët a vonë do çojë në vetëgjyqësi. Më mban vetëm fakti që dua të çoj përpara punën që kam për të mos e lënë familjen me borxhe.

Kur them lirohet, kam parasysh as dy-tre orë, thjesht marrje në pyetje. Nuk jam unë i vetmi që kërcënohem dhe intimidohem prej tij. Por unë kam gjithë jetën për të humbur, nuk mundem dhe nuk dua të tërhiqem.

Unë jam fermer dhe e kam zgjedhur ketë profesion për pasion. Jetoj në Tiranë dhe ushtroj aktivitetin në Shijak, familjarisht. Kam ndoshta të vetmen serë organike në Shqipëri ku prodhoj një larmishmëri perimesh bio. Gjithashtu, merrem dhe me agropërpunimin në një punishte të vogël që ka hapur ime shoqe.

Punët na kanë shkuar mirë, deri në momentin kur zotëria në fjalë, filloi me të gjitha mënyrat të na shantazhojë dhe kërcënojë me qëllim që të na shkatërrojë, besoj se në një shtet normal, dikush duhet të na marrë në mbrojtje, që të mos detyrohemi të mbrohemi vetë.

Berisha Fb 1
Berisha Fb 1

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb