Kreu i PD-së, Sali Berisha nisi fjalimin e tij në protestën kombëtare, ndërsa e cilësoi këtë ditë si një nga momentet më të shënuara të historisë kombëtare.

Në fjalën e tij, Berisha rikujtoi ngjarjet e 20 shkurtit 1991, kur dhjetëra mijëra qytetarë, të mbledhur fillimisht në Qytetin Studenti në mbështetje të grevës së studentëve, marshuan drejt Sheshit Skënderbej.

“Nderim përjetë atyre guximtarëve që si luanë u sulën mbi shtatoren e diktatorit, e përmbysën atë dhe çliruan Shqipërinë nga diktatura komuniste,” u shpreh Berisha para mbështetësve.

Në vijim të fjalës së tij, ai bëri një paralelizëm mes regjimit komunist dhe situatës aktuale politike, duke deklaruar se 35 vite më pas, shqiptarët po përballen, sipas tij, me një regjim me tipare të ngjashme. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për kapje të pushteteve, korrupsion dhe për cenim të procesit zgjedhor.

“Ne nderojmë sot këtë datë me mirënjohje të thellë dhe frymëzim të madh, me zotimin tonë para shqiptarëve se Edi Rama do i ketë kohërat e numëruara,” deklaroi ai.

“Miqtë e mi, 35 vite më parë, shqiptarët kurrë nuk do mendonin se 35 vite më vonë do ndodheshin para një regjimi. Sigurisht jo të njëjtë në mënyrë identike, por fatkeqësisht shumë të ngjashëm në shumë aspekte. Nuk mund të besonin se 35 vite më vonë pushtetet e vendit do ishin në duart e një krimineli të pashembullt historik pas Enver Hoxhës, pushtet e vendit në duart e një tradhtari që do nxijë gjithnjë historinë kombëtare për aktet e tij të tradhtisë ndaj kombit dhe vendit, do ishin në duart e një njeriu që do plaçkiste Shqipërinë sa askush tjetër në historinë tonë,.35 vite më parë ata burra e gra që kaluan mbi autoblinda, snajperë, mitralozë, për votën e lirë, dinjitetin njerëzor nuk mund të besonin se 35 vite më vonë përsëri do rikthehej farsa zgjedhore e atij që përmbysën”, tha Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb