Ndarjen e madhe PS dhe PD nuk e ndjen vetëm në debatin parlamentar, por gati në çdo qelizë të shtetit shqiptar. Se është aq e lodhshme ka marrë atë përgjigje me pjesëmarrjen e ulët të 9 nëntorit 2025. Në kampin socialist, Berisha shikohet si e keqja e madhe e çdo gjëje në vend dhe si fillimi i korrupsionit pa fre; për kampin demokrat, çdo gjë që nuk është pro-Berishë dhe artikulon kritika me PD-në është komunist, hajdut dhe i Majtë. Ende për masën e pakultivuar, e Majta lidhet vetëm me komunizmin, kurse e Djathta për socialistët vazhdon e gjeneron lidhjen me bashkëpunëtorët e fashizmit. Më së shumti janë nga e Djathta, ata që mohojnë çdo gjë nga Lufta, kurse çdo gjë e keqe e këtyre 35 viteve është e lidhur me emrin e Berishës, referuar të Majtëve; ashtu si të gjitha tradhtitë janë bërë nga e Majta dhe shitja e Kosovës dhe ndërrimi i kufijve është gatuar prej tyre, referuar të Djathtëve.
Nëse ulesh dhe ofron faktet është shumë të vështirë të bindesh njerëzit e tyre apo të vendosësh pika takimi. Këto të fundit i trandin njerëzit kur kuptojnë se në lejet e ndërtimit janë biznesmenë që shkojnë mirë me të dyja krahët. Apo pse opozitarët e parlamentit janë aq të pasur. Kështu po ndodh së fundi me një biznesmen që gjendet para drejtësisë dhe firma e të cilit vazhdon të marrë leje. Lista është e gjatë, sidomos në biznes dhe, njeriu i thjeshtë kur e kupton se e Majta dhe e Djathta nuk ecin me ideologji, por me interesa dhe pragmatizëm, i përkulet paradoksit. Gjithsesi, ndarja mbahet njësoj si në kohën e Luftës së Dytë kur ishin “Ne” dhe “Ata”; apo sot: kur militantët e dyanshëm mendojnë vetëm për konfliktin dhe aspak dialektikën e zhvillimit. Përjetohet keq, kur një anëtar i PD-së ftohet në shtet të mbulojë përgjegjësi, sikur Shqipëria të jetë pjesë e ndarë e njërës apo tjetrës palë. Ashtu, si njerëzit e PS-së që janë kritikë me familjen e tyre. Të pafuqishmit (lexo: njerëzit) në këtë mori veprimesh antagoniste u mbetet thjesht të mbyllin sytë dhe të ofshajnë për të gjetur pak qetësi ose më mirë mundësi për të shtyrë të nesërmen.
Disidenti çek, Vaclav Havel e trajtoi shumë me kujdes këtë fakt, duke artikuluar tek eseja e tij “Fuqia e të pafuqishmëve” se: “Ushtrimi i pushtetit përcaktohet nga mijëra ndërveprime midis botës së të fuqishmëve dhe asaj të të pafuqishmëve, aq më tepër sepse këto botë nuk ndahen kurrë nga një vijë e mprehtë: secili ka një pjesë të vogël të vetes në të dyja”. Kjo është një e vërtetë e madhe, pasi bota e politikës dhe e njerëzve të thjeshtë nuk ndahet dot, si me thikë. Në rastin e Shqipërisë, shpesh ndahen për sy e faqe, kur njerëzit e thjeshtë u duhet të mbijetojnë së bashku, edhe atje ku politika i veçon. Nuk ia vlen të merremi më me rastin ballkanik që është jo shumë larg atij shqiptar, por është shembulli amerikan, ai që po e trand fort botën: SHBA është e ndarë si asnjëherë tjetër. Sondazhet e Qendrës Kërkimore Pew kanë zbuluar se “Amerikanët e shohin vendin gjithnjë e më shumë si më të ndarë se në çdo kohë që nga Lufta Civile”. Shifrat e ndarjes janë shqetësuese.
Ndërsa në vitin 2022, gati 72% e Republikanëve dhe 63% e Demokratëve e shihnin palën kundërshtare si imorale; e në vitin 2016, këto shifra ishin respektivisht 47% dhe 35%, atëherë trandesh. Johanna Dunaway, drejtoreshë kërkimore në Institutin e Universitetit për Demokraci, Gazetari dhe Qytetari dhe profesoreshë e shkencave politike në Shkollën Maxwell të Qytetarisë dhe Çështjeve Publike, e ka studiuar këtë fenomen dhe e trajton faktin sepse Amerika është bërë kaq e ndarë politikisht: Media sociale dhe lajmet politike janë mes faktorëve që janë primare, sipas saj. Madje, Dunaway shton edhe faktin se… “… kur njerëzve u kërkohet të vlerësojnë palën kundërshtare, ata shpesh ndiejnë armiqësi të konsiderueshme bazuar në atë që dëgjojnë nga elita e asaj partie dhe qeveritarët. Ata kanë tendencë të supozojnë se anëtarët e partisë kundërshtare janë më ekstremë sesa duken në të vërtetë, fakt që krijon perceptimin e dallimeve më të mëdha politike midis Demokratëve dhe Republikanëve në publik, sesa ekzistojnë realisht”.
Është një koncept filozofik që grekët e kishin pjesë të fjalorit të tyre. Quhet Ataraksi dhe lidhej veçanërisht në Stoicizmin dhe Epikurianizmin dhe i referohet një gjendjeje qetësie, lirie nga shqetësimet mendore dhe një qetësie shpirtërore. Ndjenjë e harruar tek ne. Por, në imazhin e politikës aktuale shqiptare, ataraksia duket më shumë si një ëndërr e largët, pasi urrejtja nuk njeh fre në parlament; leksiku fyes është më i pasur se asgjë tjetër, sidomos kur objekt ka kundërshtarin; dezinformimi nuk ndalon, kurse manipulimi emocional është i frikshëm.
Më pak fjalë, ataraksia në mjedisin shqiptar duket si një lloj emocioni sfidues, pasi njerëzit janë gjithnjë partizanë të mendimeve të tyre dhe as nuk marrin mendim të dëgjojnë perspektiva të kundërta. Nëse provon të flasësh për Berishën, atëherë militantët të thonë: “Kush do ta bëjë tjetër veç Berishës, PD-në”! Ose më fatalen: “Ta provojnë kushdo dhe po fitoj, bujrum”. E njëjta gjë për Ramën, kur i thua pse nuk kundërshtoni, kur ia ndjen autoritetin e tepërt. “Nëse humbet, mund ta bënim, po pse kur fiton, duhet të jemi kritikë”.
Alternativa e ataraksisë, që mund të përmirësojë mjedisin në vend, është e larmishme. Për fat, burimet teorike japin disa ide, mes tyre angazhimin dhe kujdesin në burime të ndryshme alternative mediatike dhe dëgjimin e shumë individëve publikë. Ushtrimin e Empatisë, që është sens qytetar dhe një kërkesë civile në modulet e edukimit qysh para Krishtit për të dëgjuar dhe për të marrë pjesë në dialog, ashtu si edhe në përfshirjen e gjërave të përbashkëta. Dhe, a ka gjë më të madhe sesa mirëqenia e Shqipërisë dhe interesi i përbashkët i vendit? Por, jo, kjo nuk ndodh, ataraksia është shumë më thelb sesa urrejtja PS-PD. Kurse në rastin shqiptar shërben më shumë ironia e Woody Allen: “Duket se bota ishte e ndarë në njerëz të mirë dhe të këqij. Të mirët flinin më qetë, veçse të këqijtë dukeshin se i shijonin orët e zgjimit shumë më tepër”.
(Homo Albanicus)
