Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Tiranë ku disa persona në makinë kanë qëlluar në drejtim të një G Classi në lëvizje. Si pasojë kanë mbetur të plagosur 4 persona. Autorët dyshohen të kenë qenë tre.
Gazetari i News24, Igli Çelmeta, raporton se automjeti tip G Class është ndjekur nga autorët nga një makinë tjetër prej rrethrrotullimit të Shkozës e deri në Lundër.
Aktualisht, të plagosurit janë dërguar në spital ku po marrin ndihmën mjekësore.
Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se kanë mbërritur të plagosur me armë zjarri shtetasit Arens Stafa, 34 vjeç, dhe Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç, të cilët janë dëmtuar në dorë dhe krahë.
Gjithashtu, në sallën e operacionit janë futur Dior Demiraj, 11 vjeç, dhe Kian Mullaj, 19 vjeç.
Makina “G-Class” që drejtohej nga 34-vjeçari Arenc Stafa, ka ardhur 2 km më larg, në një nga lagjet rezidenciale në periferi të Tiranës, për t’i shpëtuar atentatit.
Mësohet se automjeti është qëlluar me breshëri plumbash përgjatë Unazës së Madhe nga rrethrrotullimi i Shkozës e deri në Lundër.
(BalkanWeb)