VLORE– Një prej anëtarëve të grupit të Gaxhait është plagosur mbrëmjen e së dielës në Vlorë. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në lagjen “Pavarësia”, kur Armando Sulejmani teksa po zbriste shkallët e hyrjes së tij bashkë me nipin u qëllua me silenciator nga dy persona. Sipas burimeve paraprake, ai është ngjitur i gjakosur në shtëpi dhe nga ballkoni ka shtirë me pistoletë drejt atentatorëve, por pa plagosur asnjë. Armando Sulejmani (çipuri) është personazh i njohur i krimit në Vlorë.
Ai ka qenë pjesë e bandës së Gaxhait dhe ishte dënuar 20 vite nga gjykata. Sulejmani kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu, ndërsa mendohet që atentatorët lidhen pikërisht me vrasjet e kryera në të shkuarën e tij.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar me burgim përjetë Gazmir Brakën të njohur si Gaxhain. Ndërkohë, që për katër anëtarët e tjerë të bandës, Armando Sulejmani, Sokol Sinemati, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiu gjykata dha dënimin e saj me 25 vite burgim.
Të pandehurit janë dënuar vetëm për 3 vrasje, ato të Sadik Kurtit, Avdul Bajrami dhe Zihni Haruni dhe një vjedhje me dhunë, atë të Ardian Skënderit, duke u shpallur të pafajshëm për veprat e tjera penale. Kështu, prokuroria nuk ka provuar dot fajësinë për vrasjen e policit Vrion Rrapit. I pandehuri Gazmir Braka është dënuar nga Gjykata e Rrethit Durrës me burgim të përjetshëm për një tjetër vepër penale të kryer në këtë qytet.
Ndërsa të pandehurit Sokol Sinomati dhe Armando Sulejmani janë dënuar për veprën penale të “Vrasjes” së shtetasit Elton Tato dhe “Vrasjes së mbetur në tentativë” në dëm të shtetasit Robert Boraku, ngjarje e ndodhur në datë 26 shkurt të vitit 2002 nga Gjykata e Apelit Vlorë, përkatësisht me 25 vite burgim Sokol Sinomati dhe 20 vite burgim Armando Sulejmani. Nga pesë anëtarët e bandës, vetëm i pandehuri Edmond Leskaj nuk është arrestuar. Ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit e ka zanafillën e saj në vitin 1997, pas përplasjeve të “bandës së Coles”, me në krye Zani Çaushin dhe “bandës së Gaxhait”, e cila e kishte bazën në fshatin Cerkovinë.
Qytetarë nga Vlora telefonuan në “News24” për të dhënë informacion për ngjarjen, ndërsa vijnë edhe pamje nga vendngjarja.
NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 21:49, në SpItalin Rajonal të Vlorës ka shkuar një person i cili dyshohet se ështe plagosur me armë zjarri.
Gjatë veprimeve paraprake ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Pavarësia” Vlorë, në hyrje të pallatit ku jeton, dyshohet se është plagosur me armë zjarri shtetasi: A. S. 39 vjeç, banues në Vlorë.
Policia ka shoqëruar disa persona me të cilët po punohet për zbardhjen e ngjarjes.
Po kryhen veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
(BalkanWeb)
