Zbulohen të tjera detaje për atentatin që iu bë pak ditë më parë aktorit Mishel Prela në afërsi të gjimnazit “Partizani” në kryeqytet, nga i cili mbeti i plagosur.
“BalkanWeb” ka mundur të sigurojë një kopje të kërkesës së Prokurorisë drejtuar gjykatës për caktimin e masës së sigurisë për shtetasin Ermir Tola, të dyshuar si bashkëpunëtor në tentativën për vrasje ku sqarohet me detaje e gjithë skena e krimit.
Konkretisht nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë bëhet e ditur se “në datën 20.07.2017 ka regjistruar kryesisht procedimin penal për veprën penale ‘të vrasjes me paramendim’, mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim në dëm të Mishel Prela. Në datë 21.07.2017 në Regjstrin e Njoftimeve të Veprave Penale në rreshtin ku bëhet fjalë për procedimin penal janë regjistruar emrat e personave nën hetim Ervin Zallumi, Shkëlzen Buci dhe Milar Tola, Ermir Tola dhe Trim Hidri, si persona që u atribuohen veprat penale të ‘vrasjes me paramendim’ mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”, – sqaron Prokuroria.
“BalkanWeb” raporton se sipas materialit hetimor “në datën 20.07.2017 rreth orës 21:30 nga ana jonë është marrë njoftimi se në një nga rrugicat në afërsi të Gjimnazit ‘Partizani’ Tiranë është plagosur me armë zjarri Mishel Kol Prela dhe është dërguar për të marrë ndihmë e shpejtë në qendrën mjekësore në Spitalin e Traumës, Tiranë. Personi i dëmtuar Mishel Kol Prela ka qenë person me precedent kriminalë, pasi ka qenë i dënuar më parë për veprën penale “vrasje me dashje” mbetur në tentativë”, – sqaron Prokuroria.
Mandej bëhet e ditur se “Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore Tiranë është shkuar në vendin e ngjarjes dhe pas kryerjes së veprimeve të para hetimore ka rezultuar se: Në datë 20.07.2017 rreth orës 21:00 gjatë kohës që shtetasi Mishel Kol Prela ka qenë duke udhëtuar me bicikletën e tij, në afërsi të vendit të quajtur Gjimnazi ‘Partizani’, kur një person i paidentifikuar ka zbritur nga një automjet dhe pasi ka shtirë disa herë në drejtim të tij me armën tip pistoletë që mbante në dorë është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjajres. Si pasojë e këtyre të shtënave, shtetasi Mishel Prela ka marrë dëmtime trupore dhe është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore, nga ku rezulton se është në gjendje të rëndë për jetën”, – sqaron organi i akuzës, raporton “BalkanWeb”.
Gjithashtu bëhet e ditur se “Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës material 8 (tetë) gëzhoja të fishekëve luftarakë kal 7.62mm, një predhë metalike e deformua, një kapele me mbishkrimin “Argentin”, një aparat telefoni celular “Nokia”, – raporton “BalkanWeb”.
(BalkanWeb)
