Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e regjistruar në Elbasan, ku u plagosën tre të rinj, Armando Tomorrica dhe Renaldo Manc edhe Biorgi Hoxha.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se dyshohet se objektiv i sulmit ka qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur si “Ot Kila”. Sipas informacioneve paraprake nga hetimet, autori dyshohet se ka vepruar i maskuar, duke përdorur maskë silikoni dhe paruke me flokë të gjatë, me qëllim fshehjen e identitetit të tij.
Ai mësohet se ka qenë i veshur me rroba të zeza, një xhup të errët dhe doreza, ndërsa ka ndjekur një skemë të organizuar për të mos lënë gjurmë. Policia dhe grupi hetimor po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në vendngjarje për të identifikuar autorin dhe zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin e sulmit, ndërsa pista kryesore lidhet me konfliktet e mëparshme dhe përplasjet mes grupeve kriminale. Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë bërë ende një njoftim zyrtar mbi personat e dyshuar apo natyrën e saktë të ngjarjes. Kujtojmë se Ot Kila është një personazh i njohur për policinë, ndërsa njihet si armik i Suel Çelës. Ky i fundit dyshohet se ka qenë porositës i tentativave për ta vrarë “Otin e Elbasanit”. Në shënjestër ai kishte edhe Bledar Muçën i njohur si njeri i Çapjave. Edhe pse i shpëtoi sulmeve në qytetin e Elbasanit, Bledar Muça u ekzekutua në vitin 2022 në Belgjikë. Më herët, Muça i kishte shpëtuar 2 atentateve.Kreu i grupit kriminal, Suel Çela mësohet se donte të vdekur edhe Elton Kilën. Ai madje porosit edhe vrasësin me pagesë Nuredin Dumani në 2022, por ky i fundit nuk arrin të realizojë atentatin, pasi u sulmua me breshëri plumbash pranë Cërrikut nga njerëzit e Talo Çelës dhe mbeti i plagosur. Ky është edhe momenti që shënon fundin e aktivitetit kriminal të Dumanit, pasi disa orë më pas ai u arrestua në Fier dhe sot ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë
NGJARJA
Sipas dinamikës së deritanishme, Tomorrica dhe Mance ndodheshin të ulur në një tavolinë në verandën e lokalit, në shoqërinë e kamarierit Biorgi Hoxha. Në një moment, autori është afruar drejt tyre dhe, sipas dëshmive të personave që ndodheshin në vendngjarje, fillimisht i ka ofenduar verbalish. Menjëherë më pas ai ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tyre, duke lënë të plagosur të tre personat.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore kanë sekuestruar 6 gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike për të ndihmuar në identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.
Tre të plagosurit morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal të Elbasanit.
