Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka komentuar ngjarjen e rëndë të ndodhur në Elbasan, ku u ekzekutua në një atentat Edmond Hyka, i njohur edhe si Mondi Mëhalla. Lala tha se policia dhe prokuroria e Elbasanit pretendojnë se kanë arritur të zbardhin autorësinë dhe zinxhirin e personave të përfshirë në krim, duke vënë në pranga disa të dyshuar.

Sipas saj, ndër të arrestuarit është edhe ish-ortaku i viktimës, si dhe persona të tjerë të identifikuar përmes kamerave të sigurisë. Pamjet, sipas Lalës, tregojnë ekzekutorin që del qetësisht nga një automjet, automjet që rezulton të jetë në pronësi të një prej kompanive të Mondi Mëhallës dhe hap zjarr. Viktima tenton të largohet, por përplaset te një automjet tjetër, ndërsa autori largohet me qetësi nga vendi i ngjarjes.

“Deri tani nuk kemi ende të qartë motivin e vrasjes,” tha Lala. Sipas saj, ndonëse policia dhe prokuroria lëvizin mes dy pistave kryesore, konflikt për çështje të trafikut të drogës dhe përplasje biznesi, ende nuk ka një qëndrim të qartë zyrtar. Ajo theksoi se për të qartësuar motivin duhet një hetim i thelluar dhe i plotë.

Ngjarja vjen pas një periudhe qetësie në Elbasan, e cila u arrit pas goditjes nga autoritetet të tre grupimeve kriminale në qytet. “Kjo vrasje e rikthen shqetësimin se balanca kriminale në Elbasan mund të jetë trazuar sërish,” tha Lala, duke nënvizuar rëndësinë e zbardhjes së plotë të çështjes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb