VLORE – Policia ka identifikuar autorin e krimit në lidhje me plagosjen me armë zjarri të 28 vjeçarit Arlind Lulushi, mbrëmjen e kaluar në qytetin e Vlorës.
Ai është Paris Sulejmani, 29 vjeç, person me precedent penal të mëparshëm, i arrestuar më parë për veprat penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”. Ndërkohë policia po punon për kapjen dhe arrestimin e tij.
Si ndodhi ngjarja
Ditën e djeshme, ashtu si çdo ditë, i riu ndodhej në vendin e punës kur persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të tij me automatik, e për pasojë e kanë plagosur në këmbë. I riu për t’i shpëtuar vrasjes është larguar me vrap në rrugën kryesore, ndonëse i plagosur, duke rënë më pas pa ndenja. Ka qenë pikërisht një mjet i rastit që e ka çuar me urgjencë në spital. Ndërkohë, policia është përqendruar në disa pista, që nga hakmarrja e mundshme dhe tek një konflikti i mëparshëm që ka pasur i riu me disa persona që i bënë edhe atentatin para pak muajsh.
Kush është Arlind Lulushi
Emri i Arlind Lulushit lidhet dhe me një ngjarje të rëndë që tronditi dy vite me parë Vlorën, ku dy të rinj, një djalë dhe një vajzë mbetën të vrarë pas të shtënave me armë. Ngjarja e rëndë ndodhi në 2 janar të vitit 2015. 21-vjeçarja Paola Bisha dhe kushëriri i saj Parid Velaj, 28 vjeç, u ekzekutuan me armë zjarri nga Ervis Lulushi, pasi ky i fundit i kishte kërkuar vajzës që të rilidheshin bashkë. Në atë kohë, Policia shoqëroi Arlind Lulushin i cili u akuzua si bashkëpunëtor i kushëririt të tij Ervis Lulushi. Por, Lulushi u lirua për mungesë provash.
(e.f/BalkanWeb)
