Nga: DORJANA BEZAT
TIRANË- Shtohet edhe një tjetër pistë për atentatin ndaj 34-vjeçarit nga Memaliaj, Nelgert Pata, ndodhur më 21 gusht tek një lokal te “Rruga e Kavajës”. Nelgert Pata kishte vetëm pak ditë që kishte dalë nga burgu ku vuante dënimin për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe dyshimet e para për atentatin u lidhën me të shkuarën e tij kriminale.

Por pas hetimeve, burime nga Policia e Tiranës thanë se plagosja e Nelgert Patës, i shpallur në kërkim për veprën penale “moskallzim krimi”, lidhet edhe me vrasjen e 1 majit në lokal “De Niro”, ku u ekzekutua Elton Çiço. Për shkak të një njohje të vjetër që 34- vjeçari Pata ka me Jani Aliaj dhe Renato Milloshi, autorë të dyshuar për vrasjen e Çiços, policia dyshon se ai ka bashkëpunuar nga burgu për vrasjen e tij.

Më 21 gusht Nelgert Pata u qëllua me armë zjarri ku sipas burimeve, u lëndua lehtë në vesh. Menjëherë pas të shtënave, autorët por edhe i lënduari u larguan nga vendngjarja. Policia shoqëroi 2 shtetas kosovarë të cilët më pas rezultoi se nuk kishin lidhje me ngjarjen.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb