Tiranë, 21 Shkurt – Në një atmosferë emocionuese, atletët e Special Olympics Albania (SOA) morën pjesë në një aktivitet të organizuar në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), përpara nisjes së tyre në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore, të cilat do të mbahen nga data 8 deri më 15 mars në Torino, Itali.

Për herë të parë, delegacioni shqiptar do të përfaqësojë vendin në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore, falë mbështetjes së Coca-Cola dhe donatorëve të tjerë, duke shënuar një hap historik për përfshirjen dhe fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara intelektuale përmes sportit.

Në këtë aktivitet morën pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, përfaqësues të Komitetit Olimpik Kombëtar dhe të shoqatave të tjera sportive, duke dhënë një mesazh të fuqishëm mbështetjeje për atletët e Special Olympics Albania dhe duke riafirmuar rolin unifikues të sportit në shoqëri.

Gjatë fjalës së tij hapëse në ceremoninë e mirëseardhjes, Drejtori Kombëtar i Special Olympics Albania, Z. Roland Hysi, u shpreh:
“Ky është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për mua, për atletët dhe familjet e tyre, por për të gjithë vendin. Delegacioni i Special Olympics Albania, me mbështetjen tuaj, do të jetë për herë të parë pjesë e Lojërave Botërore Dimërore në një skenë ndërkombëtare. Kjo tregon se së bashku, me veprime konkrete, mund të thyejmë barrierat ekzistuese për personat me aftësi të kufizuara intelektuale.”
Hysi e përfundoi fjalimin e tij me një falënderim dhe një thirrje për mbështetje të vazhdueshme nga institucionet, partnerët dhe organizatat.

Që nga themelimi i saj në vitin 2017, Special Olympics Albania ka bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për të siguruar mbështetje institucionale dhe kontribut në zhvillimin e kuadrit ligjor në vend. Me mbështetjen e qeverisë, SOA është duke avancuar drejt njohjes zyrtare si një shoqatë sportive me një mision të veçantë, në përputhje me Ligjin për Sportet.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ministrja përgëzoi atletët për guximin dhe përkushtimin e tyre, duke theksuar rëndësinë e sportit si një forcë unifikuese dhe motivuese për të rinjtë.

Presidenti i Coca-Cola Bottling Shqipëria, Z. Luca Busi, vuri në dukje mbështetjen e The Coca-Cola Company dhe Coca-Cola Bottling Shqipëria, e cila është e pranishme në vend për më shumëse 30 vjet. Ai komentoi mbi këtë rrugëtim frymëzues të Special Olympics Albania drejt Torinos:

“Coca-Cola dhe Special Olympics ndajnë vlera të përbashkëta, të cilat i kanë bashkuar që nga viti 1968. Ndërsa jemi krenarë që sjellim tek konsumatorët shqiptarë një markë globale me rrënjë të forta lokale, Coca-Cola Bottling Shqipëria po mbështet atletët e Special Olympics Albania jo vetëm për udhëtimin e tyre drejt Torinos, por edhe në punën e tyre të rëndësishme gjatë gjithë vitit.”
Në vitin 2023, Special Olympics Albania mori pjesë në Lojërat Botërore Special Olympics në Berlin falë mbështetjes së Coca-Cola. Kjo ishte hera e parë që delegacioni shqiptar mori pjesë në Lojërat Botërore Special Olympics, duke përfaqësuar 10 atletë që garuan në not, peshëngritje, atletikë dhe basketboll.

Lojërat Botërore Dimërore Special Olympics janë një nga eventet më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse sportive në botë, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga gjashtë atletë, tre meshkuj dhe tre femra, në tre disiplina sportive: ecje në dëborë, ski alpin dhe ski në terren të hapur.
Këtë vit, mbi 1,500 atletë nga 102 vende të ndryshme, të mbështetur nga 2,000 vullnetarë, do të jenë në Torino, ku do të përkrahen ngamë shumë se 100,000 spektatorë. Atletët do të garojnë në tetë sporte të ngjashme me ato olimpike, duke përfshirë Ski Alpin, Ski Kros, Dancesport, Patinazh Artistik, Floorball, Snowboarding, Ecje në Dëborë dhe Patinazh me Shpejtësi në Pista të Shkurtra.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb