TIRANE- Atmosfera e festave të Nëntorit nuk është ndjerë e tillë në kryeqytet. Pompoziteti i festimit të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë i ka lënë vendin një atmosfere të zbehtë dhe jo të veçantë, pas 3 vitesh.
Dita e përvjetorit të shpalljes se Pavarësisë është dita më e rëndësishme e një Kombi, por kjo e shtunë tregoi se edhe ajo ditë për shqiptarët është një ditë si gjithë të tjerat.
Dekori ka qenë i pakët këtë 28 nëntor, Bashkia ka vendosur disa flamuj kombëtarë në shtylla përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa nuk njoftohet ndonjë aktivitet festiv.
Por edhe vetë kryeqytetasit janë treguar dukshëm indiferentë në këtë 103-vjetor të ngritjes së flamurit. Janë të pakta ato familje që janë kujdesur që në ballkonet apo dritaret e shtëpive të tyre të valëvitet flamuri shqiptar, ndryshe nga 100-vjetori i shpalljes së Pavarësisë ku kryeqyteti ishte skuqur i tëri nga flamujt që valëviteshin.
Qytetarët kanë zgjedhur të tregojnë patriotizmin dhe atdhedashurinë vetëm në profilet e rrjeteve sociale, me flamujt apo foton e Ismail Qemalit.
Shumë të vetmuara ishin monumentet kushtuar Pavarësisë dhe ngritur enkas në Tiranë për të kujtuar 28 nëntorin e 1912-s . Ato ishin lënë në harresë dhe dukeshin të trishtuara nën shi.
Ndryshe nga momentet kur kryeqyteti përflaket me rastin e ndeshjeve të kombëtares, sot është dita që qytetarët e një Kombi të tregojnë shpirtin patriot dhe të festojnë edhe duke shpalosur simbolin më të lartë të vendit, e cila për shqiptarët është shqiponja dykrenore, apo edhe të urojnë njëri-tjetrin për ekzistencën e shtetit, Kombit shqiptar.
(el.sp/BalkanWeb)
