Në Gjermani është rihapur debati për kthimin e refugjatëve sirianë në atdhe, pas më shumë se një dekade që prej ardhjes së tyre masive në vitin 2015.
Analisti i Deutsche Welle, Auron Dodi, në një lidhje direkte me News24, tha se kjo temë është ndezur nga deklaratat e zyrtarëve të lartë gjermanë dhe nga rënia e mbështetjes për partitë e koalicionit qeverisës, ndërsa partia e ekstremit të djathtë AfD po fiton terren.
Sipas Dodit, presioni politik dhe shifrat e sondazheve po e shtyjnë qeverinë drejt një qasjeje më të ashpër ndaj migracionit.
Intervista
News24: Në Gjermani kërkohet të kthehen në atdhe sirianët, ardhja masive e të cilëve 10 vjet më parë ndryshoi peizazhin politik e social në Gjermani. A do të jetë i mundur riatdhesimi i rreth 1 milionë sirianëve të ardhur në Gjermani? Për të mësuar më shumë, jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.
Auron, përshëndetje,
Çfarë u kërkohet sirianëve në Gjermani dhe kush ua kërkon?
A.Dodi: Shkëndijën, debati për kthimin e sirianëve e mori nga një deklaratë e Ministrit të Jashtëm Johann Wadephul. Wadephuli vizitoi një periferi të shkatërruar të Damaskut, në Siri. Dhe u shpreh i prekur nga ajo që pa. Pas kësaj ai vuri në dyshim, “që përballë masës së shkatërrimeve atje, do të kthehen në plan afatshkurtër, vullnetarisht, një numër i madh refugjatësh”. Ai shtoi se megjithatë duhet të kthehen nga Gjermania në Siri “rastet shumë të pakta të kriminelëve vërtet të rëndë”.
Por kjo u interpretua në Gjermani si vënie pikëpyetjeje, të kthimit të të gjithë sirianëve nga Gjermania në atdhe. Prandaj ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt (CSU) deklaroi së “ne jemi në procesin e përgatitjes së riatdhesimeve në Siri”. Dobrindti tha se duhet të lehtësohet presioni mbi komunat, “qendrat e kujdesit ditor dhe shkollat”.
Edhe më qartë u shpreh Kancelari Friedrich Merz. Ai solli në mend se “lufta civile në Siri ka mbaruar. Tani nuk ka absolutisht asnjë bazë për azil në Gjermani, dhe për këtë arsye ne mund të fillojmë riatdhesimin”. Merzi madje shtoi se ata që refuzojnë të kthehen “sigurisht, mund të dëbohen në të ardhmen e afërt”.
News24: A kërkohet vetëm kthimi i azilkërkuesve të refuzuar dhe kriminelëve sirianë, apo i të gjithë sirianëve?
A.Dodi: Plan konkret deri tani, sipas gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, qeveria gjermane ka vetëm për kriminelët sirianë dhe ata që konsiderohen kërcënim për sigurinë publike. Ata duhet të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur, kështu kërkon edhe marrëveshja e koalicionit qeveritar.
Por te CDU/CSU-ja ka kërkesa që të kthehen në atdhe edhe sirianët që nuk kanë kryer ndonjë krim – për të ndihmuar rindërtimin e Sirisë.
Ministri i Jashtëm Wadephul e quajti në një deklaratë të mëvonshme “interes legjitim” të Gjermanisë, që njerëzit “që u është dhënë strehim këtu, për të cilët taksapaguesit gjermanë kanë paguar, të jenë të gatshëm të kthehen, kur nuk kanë gjetur punë këtu”.
News24: Shumica e sirianëve dihet që erdhën në Gjermani pas shtatorit 2015, pasi Gjermania u hapi dyert. Atëherë Gjermania u pa si model humanitar për botën. Pse kjo frymë tani pikërisht ndaj sirianëve?
…
A.Dodi: Shkas për ashpërsinë e deklaratave janë sondazhet, jo veçanërisht sirianët si grup popullate. Ndaj, nisur nga rasti i sirianëve, mund të hiqen deri diku paralele, edhe për grupe të tjera migrantësh, që jetojnë në Gjermani.
“Sondazhet janë brutale” për partitë në qeveri, pranoi kryetari i grupit parlamentar të CDU-së, Jens Spahn në një intervistë.
Që nga shkurti, partitë në qeveri, CDU/CSU dhe SPD kanë rënie. CDU/CSU kanë rënë 4,5%, SPD ka rënë 2,4%, kurse partia e ekstremit të djathtë AfD ka shtuar 5,2%. Kjo sipas sondazhit të së martës (04.11.) të Institutit demoskopik Forsa, ku partia e ekstremit të djathtë, AfD-ja merr 26,0%, CDU/CSU merr 24,0% dhe SPD merr 14,0%.
Një shumicë e qartë, 76% mbetet e pakënaqur ose shumë e pakënaqur me punën e qeverisë (sipas ARD Deutschlandtrend, 06.11.) Gazeta konservatore Die Welt pyeti, nëse kancelari Merz ka zgjedhur rrugën e Presidentit francez Macron: frikë nga reformat konsekuente, megjithë deklaratat e forta.
Ka nervovizëm mes partnerëve të koalicionit, siç e pamë edhe në debatin për pamjen e qyteteve, pra se kush e ndikon negativisht pamjen e tyre. Gazeta me drejtim të majtë Süddeutsche Zeitung shtroi madje pyetjen a do të shpërbëhet para kohe qeveria, apo do të mbajë edhe katër vjet.
News24: A luajnë rol për debatin edhe atentatet e kryera nga të huajt në Gjermani?
A.Dodi: Ardhja e mbi 1 milionë refugjatëve sirianë, afganas e të tjerë para 10 vjetëve, e ndryshoi Gjermaninë. Sipas këndvështrimeve: e pasuroi ose e polarizoi. Në Gjermani erdhën kryesisht myslimanë arabë, të ndryshëm nga myslimanët turq, që Gjermania i njihte. Më kujtohet një deklaratë e ministrit të atëhershëm të Brendshëm të Gjermanisë, Thomas de Maiziere. Ai tha se francezët i kishin thënë: shikoni, myslimanët arabë janë ndryshe.
Me një moshë mesatare 26 vjeç, me angazhimin në jetën e qyteteve dhe në profesione me mungesa në Gjermani, për mbështetësit e migrimit, sirianët kanë ndikuar pozitivisht në jetën në Gjermani. Por kritikët thonë se migrantët prej vitit 2015 sollën në Gjermani edhe mendësinë e vendeve të origjinës të tyre. Për të marrë një shembulll: më parë në Gjermani nuk ka pasur demonstrata aq të fuqishme propalestineze e kundër Izraelit, siç pati pas ngjarjeve në Gazë.
News24: Sa sirianë ka sot në Gjermani dhe në ç’masë janë integruar?
A.Dodi: Në Gjermani jetojnë aktualisht rreth 950.000 sirianë. Janë grupi i dytë pas ukrainasve. Shumica kanë ardhur gjatë luftës civile në Siri dhe kanë status mbrojtjeje humanitare. Përsa i përket integrimit: prej sirianëve të ardhur punojnë 60%. Kjo është shifër e lartë e integrimit në tregun e punës, kur te gjermanët kjo shifër është 67%. Në moshë pune janë 70% e sirianëve të ardhur, ose 665.000 vetë. Prej tyre punojnë 287.000 vetë. Kurse gjysma tjetër e sirianëve jeton me ndihma sociale nga shteti. 7.000 sirianë punojnë si mjekë. Ata dhe punëtorë të tjerë të kualifikuar nuk preken nga debati i riatdhesimit, sepse mund ta ndryshojnë statusin e qëndrimit, nga pranimi për arsye humanitare në pranim si punëtorë të kualifikuar
News24: A do ta humbasin statusin e mbrojtjes sirianët në Gjermani tani?
A.Dodi: Më lehtë mund të riatdhesohen sirianët me status qëndrimi “i duruar”, Duldung. Janë rreth 10.000 të tillë. Para një riatdhesimi, Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF) shqyrton nëse kthimin e pengon p.sh. gjendja shëndetësore e personit. Pastaj është Zyra e Të Huajve që kontrollon, nëse kundër kthimit flet një integrim i mirë i migrantit: arsimimi i tij, punësimi ose shkaqe sociale, si integrimi i fëmijëve të migrantit në shkolla.
Kujtojmë se procedurat e azilit mbeten gjithmonë vlerësime individuale. Autoritetet duhet të vendosin për secilin migrant sirian, a përballet me rrezik pas kthimit dhe çfarë mbrojtjeje do t’i jepet.
News24: A ka pasur ndonjë reagim nga sirianët në Gjermani ndaj kësaj diskutimi?
A.Dodi: Deri tani ka pasur pak reagime. Me sa duket komuniteti sirian këtu pret konkretizimin e debatit. Një mjek me shtetësi siriane dhe gjermane, shprehu në stacionin publik radiofonik WDR 5 një lloj zhgënjimi, nga kërkesa për kthim.
Ai tha se u bën thirrje bashkëkombasve të tij të kthehen në Siri. Por njëkohësisht paralajmëroi se pastaj ta shohë Gjermania, si do t’ia dalë pa sirianët në profesione kyçe. Ai I akuzoi për sjellje ideologjike, drejtues të CDU-së.
Në fakt, fillimin e ndryshimit të statusit të sirianëve e nisi qeveria e kaluar gjermane, pasi ndryshoi situata në Siri. E edhe sot, si atëherë, populli vazhdon të shohë dy probleme qendrore në Gjermani: migrimin dhe ekonominë.
