Karlos Alkaraz, numri një i botës, bëri daljen e dytë në “Australian Open 2026”, kompeticioni i parë grand slam i sezonit. Spanjolli kërkonte vështirësi që ta ndihmonin të kuptonte nivelin e tij real për fazat vendimtare të turneut, aty ku fitohen titujt.

Janik Hanfman, numri 102 i renditjes ATP, iu përgjigj kësaj sfide dhe e vuri Alkarazin në telashe që në fillim të ndeshjes. Megjithatë, spanjolli tregoi pjekuri dhe forcë mentale, duke përballuar momentet e vështira dhe duke u kualifikuar për herë të katërt në karrierë në raundin e tretë të “Australian Open”. Ai fitoi me rezultatin 7- 6(4), 6-3, 6-2, pas 2 orësh e 43 minutash lojë. Ka gjëra që nuk ndryshojnë: “Carlitos” vazhdon të zgjedhë pritjen e shërbimit sa herë fiton shortin.

Kjo zgjedhje e vuri menjëherë nën presion, pasi u përball me një pikë “break” që në radhën e parë të shërbimit. Hanfman lexonte shumë mirë shërbimin e kundërshtarit, ndërsa Alkaraz ishte i pasaktë nga vija e fundit. Skenari nuk ndryshoi dhe murciani pësoi thyerje shërbimi pas një dopio faulli me shpejtësi 155 km/h. Rezultati shkoi në 3-1 për gjermanin, i cili po godiste më pastër dhe me më shumë besim. Alkaraz kishte ende hapësirë për rikthim dhe reagoi menjëherë. Një “forehand” fitues riktheu baraspeshën, shoqëruar me një britmë të fuqishme “vamos” nga numri një i botës. Nga një 4-1 i mundshëm në disfavor të tij, rezultati kaloi në 3-3. Tifozët, që përballonin vapën në “Rod Laver Arena”, duartrokitën guximin e Hanfman. Gjermani luante gjithçka ose asgjë, dhe në disa momente kjo strategji funksiononte. Gjermani e çoi setin në “tie-break” dhe madje pati avantazhin 4-3 me shërbimin në dorë.

Në momentin e presionit maksimal, Alkaraz nxori në pah tenisin e tij më të mirë. I duhej patjetër për të mos humbur setin e parë të turneut. Ai e fitoi setin pas 78 minutash lojë, por ishte fizikisht i freskët falë dy ditëve pushim para kësaj sfide. Më pas, niveli i Alkarazit u rrit ndjeshëm, ndërsa Hanfman uli ritmin e çmendur deri në kufijtë e lodhjes. Gjermani u detyrua të kërkonte ndihmën e fizioterapistit për probleme në zonën abdominale. Edhe pse nuk u tërhoq, sepse askush nuk dëshiron ta bëjë këtë në një skenë të madhe përballë një super-rivali, Hanfman ishte dorëzuar mendërisht. Tani Alkaraz pret përballjen me Korentin Moutet (nr.32), i cili u kualifikua pas tërheqjes së amerikanit Mikael Zheng, sfidë që do të luhet në orët e para të mëngjesit të së premtes.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb