Rreth 100 pushuesve britanikë u është refuzuar hyrja në rajonin austriak të skive të Tirolit për shkak të rregullave të reja që lidhen me parandalimin e përhapjes së variantit, Omicron.

Sipas policisë në Innsbruck, udhëtarët nuk kishin teste negative PCR ose prova të dozës përforcuese kur mbërritën në aeroportin e qytetit të dielën. Shumica e tyre u kthyen mbrapsht menjëherë.

Rregullat e reja të hyrjes në Austri kanë hyrë në fuqi që nga e shtuna për vizitorët nga Britania e Madhe, Holanda, Danimarka dhe Norvegjia për shkak të rritjes së rasteve me Omicron në këto vende.

Udhëtarët nga zonat e prekura me variantin e ri të virusit duhet të futen në karantinë nëse kanë një test PCR dhe nuk e kanë bërë dozën e tretë të vaksinës.

Industritë e turizmit dhe mikpritjes së Austrisë po përballen gjithashtu me orare policore, të cilat hynë në fuqi të hënën. Qeveria vendosi javën e kaluar që lokalet do të duhej të mbylleshin në orën 22:00 (21:00 GMT) në vend të 23:00. Autoritetet anuluan gjithashtu planet për të hequr orën policore në natën e Vitit të Ri.

Pas një izolimi tre-javor në nëntor dhe dhjetor, incidenca shtatë-ditore në Austri kohët e fundit ra në rreth 170. Megjithatë, ekspertët presin një rritje të rasteve me variantin më ngjitës Omicron.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb