Policia e Lezhës zbardhi dinamikën e plagosjes së 35-vjeçarit Akil Tahiri nga Fushë-Kuqja dhe ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar dhe personin që la në spital të plagosurin.
Plagosja me armë zjarri ndodhi mesditën e datës 24 prill në fshatin Gurëz të Kurbinit, ku 35-vjeçari Alil Tahiri u përfshi në një konflikt të dyshuar për motive të dobëta me 40-vjeçarin Fation Cobelita alias Fation Staka. Sherri mes tyre degradoi deri në përdorimin e armës, ku autori i dyshuar Fation Cobelita alias Fation Staka e qëlloi me armë, ku 35-vjeçari mori një plumb në këmbë. 40-vjeçari u shpall në kërkim për plagosje të rëndë me dashje dhe armëmbajtje pa leje.
Gjithashtu, në kërkim u shpall edhe 26-vjeçari Renato Marku, i cili dyshohet se shoqëroi të plagosurin në Spitalin e Laçit dhe më pas u largua pa njoftuar policinë. Policia e Lezhës bën të ditur se në hetim është vënë edhe roja i Spitalit të Laçit, pasi nuk ka njoftuar policinë kur 35-vjeçari mbërriti i plagosur dhe për pasojë 35-vjeçari i plagosur u transportua me autoambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, Akil Tahiri mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.
