Armando Broja ishte autori i golit të vetëm të Shqipërisë ndaj Izraelit, në humbjen 1-2 në shtëpi në Nations League. Ai ka folur për mediet pas ndeshjes dhe nuk e ka fshehur aspak zhgënjimin.

“I kënaqur me golin? Unë them që jo, sepse nuk e kemi fituar ndeshjen. Nuk është vetëm shënimi i golit, është të luajmë mirë dhe të fitojë ekipi. Jemi përmbysur dhe është diçka që duhet diskutuar në grup. Duhet të jemi më të përqëndruar dhe më të fokusuar për të ruajtur fitoren.

Luajtëm me tri sulmues në fund sepse po humbisnim. Trajneri provoi gjithçka për gjithçka në minutat e fundit, është zgjedhja e tij. Unë nuk kam çfarë të them, me 2 apo me 3 sulmues. Duhet të barazonim, por unë nuk ia dola të shënoja sërish.

Normale që duhet të pasoj më shumë, është lojë kolektive. Por ndonjëherë, duhet të rrezikojmë dhe të mbajmë topin. Kur jam brenda në fushë, nuk jam tifoz, jam lojtar që shoh një hapësirë dhe tentoj të futem. Në atë moment, nuk funksionoi. Por e rëndësishme është të provosh. Kështu bëhet një lojtar i madh, duke guxuar dhe duke mësuar nga gabimet.

Sot nuk bëra mirë, sepse humbëm, por në pjesën e parë bëmë shumë mirë. Në pjesën e dytë, u tërhoqëm dhe pësuam dy gola. Nuk ishin gola që duheshin pësuar, por në fund ka vlerë rezultati dhe ne humbëm” – tha ai.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb