Ardian Bushi, autor i emisionit Vetting
Një operacion i pazakontë dhe i paligjshëm po ndodh në zemër të kryeqytetit, në ambientet e televizionit News24. Pas hyrjes së një kamioni me targa AA 787 PM të dyshuara si targa false në zonën e blinduar nga policia e shtetit dhe ushtria, situata ka marrë një kthesë edhe më alarmante: tashmë brenda janë futur edhe mjete të ushtrisë.

Civilë të paidentifikuar, nën mbrojtjen e forcave të armatosura, kanë shqyer dyer dhe po nxjerrin jashtë sendet personale dhe pajisjet e punës së gazetarëve: karrige, tavolina, tapete, kompjuterë, pajisje transmetimi. Ajo që po ndodh nuk është sekuestrim zyrtar, nuk është zbatim i një vendimi gjykate është një grabitje e hapur, ditën për diell, e mbuluar nga prania e forcave shtetërore.

Ky akt përbën një precedent të rrezikshëm: ushtria dhe policia, që duhet të mbrojnë pronën dhe qytetarët, po përdoren si mburojë për të shkatërruar e zhdukur mjetet e një redaksie mediatike. Në thelb, kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias, e ngjashme me praktikat e regjimeve autoritare që fillojnë kontrollin duke shuar zërat kritikë.

Përmasat e këtij skandali janë të papara në Shqipërinë e pas viteve ‘90. Kjo nuk është vetëm çështje pronësie është një sulm frontal ndaj së drejtës për të informuar dhe ndaj çdo gazetari që beson te puna e tij.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb