Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në komisariatin nr.3 në Tiranë. Mësohet se Ludian Zaimi, 25 vjeç, qëlloi për vdekje kolegun e tij Çaush Saliasi.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se autori kishte vetëm një vit e gjysmë që ishte futur në Policinë e Shtetit, ndërkohë që viktima ishte veteran, pasi kishte mbi 20 vite.

Të dy ishin policë të Patrullës së Përgjithshme. Po ashtu mësohet se sherri mes tyre nisi për motive banale në ambientet e komisariatit, ndërsa çoi deri në përgjakje. Polici ndërroi jetë në spital.

NJOFTIMI

Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.

Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: