NGA ORNELA MANJANI*

TIRANË- Autoriteti i Konkurrencës i kërkon bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G., që kanë marrë me koncesion markimin e naftës për 10 vjet, të zbatojnë me përpikëri kontratën. Në vendimin nr.359, datë 04.05.2015, “Për disa rekomandime në lidhje me marrëveshjen e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve”, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon Autoritetit Kontraktor: a. Të kërkojë zbatimin me përpikëri të marrëveshjes koncesionare për markimin dhe monitorimin e karburantit të importuar dhe prodhimit vendas si dhe të naftës bruto; b. Brenda një kohe të përshtatshme të realizojë analizën e plotë ex-post të rezultateve, gjatë fazës së parë të monitorimit deri në fund të vitit 2014.

Hetimi
Komisioni i Konkurrencës, pas shqyrtimit të raportit të vlerësimit për marrëveshjen e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G., si dhe relacionin shoqërues të Sekretarit të Përgjithshëm, vëren se: Koncesionari ka paraqitur më 07.12.2010 një propozim të pakërkuar në lidhje me koncesionin e shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve.

Më pas, me vendim nr. 609, datë 24.8.2011 të Këshillit të Ministrave, është miratuar dhënia e bonusit prej 6% të pikëve për rezultatin, teknik e financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), shoqërisë “Global Fluids International” SA (“GFI”), për dhënien me koncesion të këtij shërbimi. Më pas, me Vendimin nr. 200, datë 13.3.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G., është miratuar kontrata e koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve.

Kohëzgjatja e koncesionit është 10 vjet duke filluar nga data efektive. Ndërkohë, Ministria e Financave nuk ka kërkuar paraprakisht mendimin e Autoritetit për këtë kontratë koncesionare, për kryerjen e vlerësimin ex-ante të saj në respektim të detyrimit ligjor. Pavarësisht se financat nuk kanë kërkuar mendimin e Autoritetit të Konkurrencës për dhënien e koncesionit, nga vlerësimi i Autoritetit ex-post (pas faktit të kryer, d.m.th. koncesionari kishte filluar punën), rezulton që ky shërbim është me vlerë të shtuar. “Bazuar në dokumentacionin e depozituar nga koncesionare, konstatohet se nga kontrolli i 1.250 pikave të shitjes së karburantit, 12% e pikave tregtonin karburante të përziera (deri në 100% përzierje)”, thuhet në vendimin e Autoritetit të Konkurrencës.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb