Shërbimi i mbrojtjes civile të Rripit të Gazës njoftoi se një sulm ajror izraelit goditi Spitalin Nasser në Khan Younis , në pjesën jugore të enklavës palestineze, ku ushtria izraelite rifilloi bombardimet e saj pas një armëpushimi dy mujor me Hamasin .
Një burim brenda Hamasit tha për AFP se Ismail Barhoum , një anëtar i byrosë politike të lëvizjes islamike, u vra në sulm.
Ushtria izraelite konfirmoi se kreu një “sulm preciz kundër një terroristi të lartë të Hamasit që vepronte brenda kompleksit të spitalit Nasser”.
Sipas ushtrisë, lëvizja islamike palestineze po “shfrytëzon infrastrukturën civile, duke rrezikuar popullsinë e Gazës”.
“Avioni izraelit shënjestroi departamentin e urgjencës të spitalit Nasser në Khan Yunis”, tha shërbimi mjekësor, pa specifikuar nëse sulmi shkaktoi ndonjë viktimë.
Ministria e Shëndetësisë e Hamasit njoftoi se sulmi kishte në shënjestër “ndërtesën e dhomës së operacionit brenda kompleksit mjekësor Nasser, ku po trajtohen shumë pacientë dhe të plagosur” dhe se atje shpërtheu një “zjarr i madh”. Mjekët palestinezë thanë se pesë persona u vranë.
Sipas burimit të Hamasit, i cili kërkoi të mos përmendet emri, Ismail Barhoum ishte në spital “duke marrë trajtim pasi u plagos rëndë në një sulm ajror në shtëpinë e tij në Khan Younis të martën”, kur ushtria izraelite filloi një operacion të rëndë bombardimi në enklavën palestineze pas një armëpushimi dy mujor.
Që nga e marta, disa figura të larta të Hamasit janë vrarë në sulmet izraelite.
(A.A/BalkanWeb)
