TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar sot me 15 vjet burg pilotin italian Giorgio Riformato i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge. Ai është piloti i avionit me drogë që u bllokua në plazhin e Divjakës.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka dhënë për pilotin 15 vite burg edhe pse ai këmbëngulte se nuk ka pasur lidhje me drogën dhe se në Shqipëri kishte ardhur për të hapur një zyrë turistike ajrore.
Gazetarja Klodiana Lala raporti se pritet që avokati mbrojtës i Riformatos, Tonin Prendi do apelojë vendimin.
Në 10 maj, në plazhin e Divjakës, u dëmtua, teksa ulej, një avion tip “Piper” që drejtohej nga piloti italian Giorgio Riformato. Në të njëjtën zonë u sekuestruan 460 kg marijuanë dhe u arrestua korrieri Bajrami. Kjo konsiderohet si tentativa e parë e regjistruar për trafikimin e drogave nga Shqipëria me avion në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të BE-së.
Për këtë ngjarje u arrestuan 7 persona, Giorgio Riformato i dënuar me 15 vite burg, Sajmir Bajrami, Mereglen Ymeraj, Kristian Demçe, Kleviol Ahmeti, Aurel Pupe dhe Orgest Bilbili.
(ma.ar/BalkanWeb)
