Dy persona kanë humbur jetën pasi një avion i vogël është rrëzuar në jugperëndim të Gjermanisë, pranë qytetit Gundelsheim, në landin Baden-Württemberg.
Policia gjermane konfirmoi se të dy personat që ndodheshin në bord humbën jetën si pasojë e aksidentit.
Pas përplasjes, avioni shpërtheu në flakë, ndërsa ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë dhe arritën të shuajnë zjarrin.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, avioni i vogël po afrohej për t’u ulur në një pistë pranë Gundelsheim, por për arsye ende të paqarta tentoi të rikthehej në fluturim.
Gjatë manovrës, avioni fillimisht përplasi një gardh dhe më pas një pemë, përpara se të rrëzohej në një vresht.
Zjarri ka dëmtuar rëndë avionin, ndërsa shenjat e regjistrimit janë djegur plotësisht. Për këtë arsye, identiteti i dy viktimave ende nuk është bërë i ditur.
Në vendngjarje kanë mbërritur hetuesit e sigurisë ajrore, të cilët kanë nisur punën për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Autoritetet vijojnë hetimet, ndërsa pritet që identiteti i viktimave të bëhet i ditur pas përfundimit të procedurave të identifikimit.
