Arrestimi i avokatit Ulian Barjami brenda sallës së gjyqit ka shkaktuar reagime të forta në mbarë trupën e avokatisë shqiptare. Dhoma e Avokatisë ka shpallur një bojkot 5-ditor të përkohshëm të seancave gjyqësore, si reagim ndaj asaj që e cilëson “një akt të paprecedentë që cenon dinjitetin e profesionit”.
Avokatja Xhoi Nela sqaron se ky bojkot “nuk është akt rebelimi, por kujtesë se drejtësia nuk mund të ekzistojë pa avokatin”.
Sipas saj, arrestimi i një avokati gjatë ushtrimit të detyrës përbën një goditje ndaj shtetit të së drejtës dhe kërkon reagim të bashkuar të gjithë trupës ligjore në mbrojtje të pavarësisë profesionale dhe të vetë sistemit të drejtësisë.
Reagimi
NJË AKT I PAPRECEDENT QË TRONDIT DREJTËSINË SHQIPTARE
Arrestimi i avokatit Ulian Barjami nuk është një ngjarje e zakonshme. Është një akt i paprecedent që trondit themelet e drejtësisë shqiptare dhe cenon dinjitetin e profesionit tonë. Kjo ngjarje nuk përfaqëson vetëm ndalimin e një individi, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë konceptit të mbrojtjes ligjore – ndaj rolit të avokatit si garant i lirisë, i barazisë dhe i drejtësisë për çdo qytetar.
Në një shtet që pretendon të jetë demokratik, arrestimi i një avokati në ushtrimin e detyrës së tij është një sinjal alarmi për deformimin e institucioneve. Është shfaqja më e qartë e frikës së pushtetit përballë zërit të së vërtetës – zë që shpesh mbartet vetëm nga avokati, i cili nuk ka as mburojë politike, as privilegj administrativ, por vetëm ligjin dhe ndërgjegjen profesionale.
Kjo ngjarje është një thirrje për ndërgjegjësim kolektiv. Sot është goditur një prej nesh, por në thelb është goditur çdo avokat që mbron me integritet qytetarin përballë sistemit. Në këtë moment, heshtja nuk është më neutralitet – është dorëzim përballë padrejtësisë.
Për këtë arsye, bojkoti i shpallur nga Dhoma e Avokatisë deri më 25 tetor nuk është akt rebelimi, por akt dinjiteti. Është kujtesë për të gjithë se drejtësia nuk mund të ekzistojë pa avokatin, dhe se çdo goditje ndaj tij është një grusht mbi shtetin e së drejtës.
Ne që kemi zgjedhur këtë profesion e dimë çmimin e lirisë dhe të së vërtetës. Sot, më shumë se kurrë, jemi një trupë e bashkuar – për Ulianin, për çdo avokat, dhe për drejtësinë që nuk duhet të nëpërkëmbet më.
