Ekipi i avokatëve të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka zhvilluar sot një vizitë në ambientet e paraburgimit në Durrës, një ditë përpara seancës së apelit për shqyrtimin e kërkesës së tij për lirim me kusht.
Në këtë takim, atyre iu bashkua edhe Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane Kasowitz Benson Torres LLP.
Në një deklaratë për mediat pas vizitës, Roberts bëri të ditur se ndodhet në Shqipëri si vëzhgues dhe theksoi rëndësinë e respektimit të standardeve ligjore ndërkombëtare.
Ai tha se nesër do të vëzhgojë seancën ku do të paraqiten argumentet e apelimit nga ekipi ligjor i Veliajt, i cili kërkon lirim me kusht pas arrestimit nga SPAK me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
“Emri im është Joshua Roberts, jam partneri i një studioje ligjore amerikane që këshillon kryetarin Veliaj dhe jemi në dijeni për arrestin e tij prej datës 10 shkurt.
Jam këtu thjesht në rolin e vëzhguesit. Në Amerikë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, akuzat dhe veprat penale ngrihen në bazën e një shkaku të arsyeshëm kur të jetë kryer një krim. Dhe qytetarët që përballen me akuza penale mund të ndalohen para gjyqit vetëm nëse paraqesin rrezik për shoqërinë.
Ndikimet e caktuara në afat dhe pa akuza penale dhe kriteret për rreziqe për politikanët janë në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe demokracinë në SHBA.
Nesër unë do të vëzhgoj argumentet e apelimit në lidhje me lirimin me kusht të kryetarit Veliaj. Nuk do t’ju përgjigjem për asnjë pyetje apo të bëj ndonjë vërejtje sot”, tha ai.
Seanca për Veliajn në Apelin e Posaçëm do të zhvillohet ditën e martë në orën 10.00. Në këtë seancë, Veliaj dhe avokatët e tij mbrojtës do të kërkojnë lirimin nga qelia.
(BalkanWeb)
