Avokat Arben Llangozi ka reaguar ashpër lidhur me rrethimin me forcë policore të godinës së News24 dhe ndërprerjen e sinjalit të këtij televizioni, duke e cilësuar këtë veprim si një sulm të drejtpërdrejtë kundër demokracisë dhe lirisë së shtypit në Shqipëri.
“Sot nuk kemi të bëjmë me zbatim ligji, por me urdhra politikë të mbështetur nga dhuna shtetërore. Ky është momenti kur maska bie dhe pushteti tregon fytyrën e tij të vërtetë autoritare,” tha Llangozi.
Ai u shpreh se rrethimi i medias, ndërprerja e sinjalit dhe kërkesa për lirimin e ambienteve pa asnjë vendim gjykate janë veprime që nuk ndodhin as në vende me regjime gjysmë-demokratike. Këto janë shkelje të hapura të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
“Ky akt është censurë e pastër, frikësim dhe shembull i qartë se pushteti i trembet së vërtetës,” shtoi avokati, duke theksuar se asnjë media nuk mund të mbyllet pa vendim penal të formës së prerë.
Sipas tij, dëmi i shkaktuar nga ndërprerja e sinjalit shkon përtej humbjeve ekonomike, duke goditur besimin e publikut dhe pluralizmin mediatik, të cilat janë baza e çdo demokracie funksionale.
“Shqipëria nuk ka nevojë për qeveri që vendos pranga mbi median, por për drejtësi që ndëshkon ata që shkelin lirinë e saj. Ky akt është një turp kombëtar dhe një kambanë alarmi për çdo qytetar që beson ende te demokracia,” përfundoi Llangozi.
Ai paralajmëroi se një vend që mbyll median me urdhra politikë nuk është në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, por në atë të izolimit dhe autoritarizmit.
