TIRANË- Avokati i Popullit i dërgon rekomandim ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për marrjen e masave konkrete për përmirësimin e formulës së sistemit të pikëzimit, për përfitimin e ndihmës ekonomike.

Institucioni i Avokatit të Popullit duke marrë shkas nga shumë ankesa të depozituara me objekt “përjashtimin nga skema e ndihmës ekonomike”, ka filluar një hetim administrativ. Pjesa më e madhe e këtyre ankesave vijnë nga qarku i Elbasanit, kryesisht nga komuniteti Rom dhe Egjiptian, qarku i Durrësit, por edhe nga njësitë bashkiake të qytetit të Tiranës.

Konkretisht janë regjistruar rreth 250 ankesa për të cilat institucioni i Avokatit të Popullit, ngriti dhe një grup pune, qëllimi i të cilit ishte verifikimi i gjendjes së këtyre familjeve në terren dhe më konkretisht në Komunën Bradashesh, pranë pallateve të Egjiptianëve Elbasan, si dhe në lagjen “Beqir Dardha” në qytetin e Elbasanit.

Ky grup inspektoi në vend 90 familje dhe rezultoi se ishin përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike kategoritë e mëposhtme:

1. Familje të cilat ishin dukshëm në kushte të vështira ekonomike dhe pa mjetet elementare të jetesës.
2. Gra kryefamiljare të cilat ishin të divorcuara ose ju ka vdekur bashkëshorti.
3. Persona të cilët janë të papunë dhe që nuk janë përfitues të ndonjë pensioni apo të ardhure tjetër ekonomike.
4. Familjet me një ose dy pjesëtarë.
5. Familjet të cilat pretendohet se janë të vetëpunësuar.

Pas konstatimit të kësaj situate Avokati i Popullit rekomandon: Marrjen e masave konkrete për rishikimin e formulës së sistemit të pikëzimit për përfitimin e ndihmës ekonomike, duke rishikuar studimin e bërë për këtë qëllim.

Futjen e elementëve sqarues në përgjigjet e familjeve të cilët përjashtohen nga skema e ndihmës, mbi arsyet reale të këtij përjashtimi.

Rekomandimi i plotë i Avokatit të Popullit dërguar ministrit Erjon Veliaj:

Ju bëjmë me dije se Institucionit i Avokatit të Popullit duke marrë shkas nga shumë ankesa të depozituara pranë nesh me objekt “përjashtimin nga skema e ndihmës ekonomike”, ka filluar një hetim administrativ. Pjesa më e madhe e këtyre ankesave vijnë nga qarku i Elbasanit, kryesisht nga komuniteti Rom dhe Egjyptian,qarku Durresit, por edhe nga njësitë bashkiake të qytetit të Tiranës.
Konkretisht pranë nesh janë regjistruar rreth 250 ankesa për të cilat institucioni i Avokatit të Popullit, ngriti dhe një grup pune, qëllimi i të cilit ishte verifikimi i gjendjes së këtyre familjeve në terren, dhe më konkretisht në Komunën Bradashesh, pranë pallateve të Egjiptianëve Elbasan, si dhe në lagjen “Beqir Dardha” në qytetin e Elbasanit.
Ky grup inspektoi ne vend 90 familje dhe rezultoi se ishin përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike kategoritë e mëposhtme:

• Familje të cilat ishin dukshën në kushte të vështira ekonomike, dhe pa mjetet elementare të jetesës.
• Gra kryefamiljare të cilat ishin të divorcuara ose ju ka vdekur bashkëshorti.
• Persona të cilët janë të papunë, dhe që nuk janë përfitues të ndonjë pensioni apo të ardhure tjetër ekonomike.
• Familjet me një ose dy pjesëtarë.
• Familjet të cilat pretendohet se janë të vetëpunësuar.
Avokati i Popullit si një institucioni kushtetues në përmbushje të detyrave të tij funksionale dhe kushtetuese, udhëhiqet nga parimet e paanësisë, konfidencialitetit, profesionalizmit dhe pavarësisë. Për pasojë konstatojmë se veprimet për mosdhënien e ndihmës ekonomike, janë veprime të cilat vijnë në kundërshtim të hapur me relalitetin e vërtetuara nga ana jonë. Padyshim që secila palë prej jush e përfshirë në këtë projekt-pilot, pushtet vendor apo qëndror paraqet arsyet e saj, por institucioni ynë gjykon se kushdo qofshin arsyet teknike apo implementuese që kanë sjellë këtë problematikë, cënojnë të bëhen ndalesa nga burimet e mjeteve të jetesës, e aq më tepër nga ndihma ekonomike e personave në nevojë, apo në varfëri të skajshme.
Referuar nenit 52 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në pikën “2” të tij parashkohet se: “Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavaruar nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës ekonomike në kushtet e parashikuara me ligj”. Në kuptim të këtij neni, natyra e përfitimit të ndhmës ekonomike për individët të cilët kanë pamundësi punësimi është shprehje e mbrojtjes sociale, e realizuar përmes përmbushjes së objektivave social, dhe si e tillë realizimi i tyre është i lidhur ngushtësisht me detyrimin e shtetit për të bërë të mundur garantimin dhe sigurimin e mjeteve të përshtatshme për nevojat jetësore.
Në vijim të ndjekjes së kësaj problematike në datën 7 Nëntor 2014 u mbajt një takim me kryetarin e Bashkisë Elbasan, z. Qazim Seidini i cili bëri me dije se: “Problemi i shfaqur vjen nga formula e pikëzimit dhe nga mos transparenca e saj në aplikim dhe në mos shpjegimin lidhur me arsyet e refuzimit nga skema ekonomike”.
Bazuar në Ligjin Nr. 8454 datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, ju drejtuam me “kërkesë për shpjegime” institucioneve përgjegjëse, si lokale ashtu edhe qëndrore në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Nga përgjigjet e kthyera nga organet e pushtetit lokal, shpjegohet se shumë familje nuk kanë marrë pikët e mjaftueshme nga sistemi dixhital i pikëzimit. Ndërsa Shërbimi Social Shtetëror në përgjigjen e tij, jep shpjegim të qartë mbi procedurat që duhen ndjekur për përfitimin e ndihmës ekonomike në bazë të VKM-së 904, datë 12.12.2012 si dhe Udhëzimit nr.9, dt.23.06.2014 të MMSR-së.
Referuar verifikimit të situatës në vend, përgjigjeve të ardhura nga institucionet, ankesave që disponojmë por edhe rasteve të tjerave bërë publike në median e shkruar dhe vizive, Institucioni i Avokatit të Popullit, inicioi një takim me përfaqësues të të gjitha institucioneve përgjegjëse të qarqeve Elbasan, Durrës,Tiranë, Shërbimin Social Shtetëror dhe MMSR, në dt. 27. 11. 2014, për të diskutuar mbi gjithë këtë problematikë të shfaqur muajt e implementimit të projektit pilot.

Në këtë takim pati debate nga të gjithë përfaqësuesit, sidomos nga përfaqësuesit e pushtetit vendor, ku u ritheksuan problematikat e ngritura nga qytetarët, dhe përballjen e tyre çdo ditë me këtë problematikë shumë shqetësuese nga ana e tyre. Nga të pranishmit u theksua gjithashtu se studimi për formulën e pikëzimit, ndoshta nuk ka dhënë pritshmëritë e duhura dhe ka nevojë për rishikim imediat.
Mos transparenca në momentin e aplikimit, duke mos patur një pasqyrim të pikëve të komponentëve të formularit, mos dhënia e një informacioni të detajuar pas verifikimit nga sistemi dhe verifikimi në terren nga administratorët shoqëror, të cilëve në jo pak raste ju rezulton gjëndje që bie ndesh me përfundimet e nxjerra nga verifikimi i sistemit, e bëjnë më bindës qëndrimin unanim të përfaqësuesve që morën pjesë, që ky sistem duhet rishikuar me seriozitet nga ana e MMSR-së dhe Bankës Botërore.

Institucioni i Avokatit të Popullit nisur nga qëllimi i mirë për përmirësimin e punës, si dhe zgjidhjen ligjore të këtij problemi e çmon me vend të bëjë këtë rekomandim, për të kontribuar së bashku për vënien në vend të të drejtave të shkelur ndaj këtyre qytatetarëve, por edhe për t’ju përgjigjur standarteve të një vendi që ka në qendër të vet të drejtat e njeriut dhe mirëqënien e qytetarëve të tij.

Për të gjitha këto arsye në përputhje me nenin 63/3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku përcakton se “Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur konstaton shkelje të të drejtave dhe lirive nga Administrata publike”, si dhe nenit 21/b ku thuhet se: “Avokati i Popullit paraqet rekomandime për marrje masash për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ që ka shkaktuar shkeljen”.

REKOMANDOJMË:

“Marrjen e masave konkrete për rishikimin e formulës së sistemit të pikëzimit për përfitimin e ndihmës ekonomike, duke rishikuar studimin e bërë për këtë qëllim”.
“Futjen e elementëve sqarues në përgjigjet e familjeve të cilët përjashtohen nga skema e ndihmës, mbi arsyet reale të këtij përjashtimi”.

Në bazë të nenit 22 të Ligjit Nr.8454 datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit” lutemi të na ktheni përgjigje të argumentuar brenda 30 ditëve, lidhur me qëndrimin që do të mbani ndaj këtij rekomandimi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb