Ish-presidenti Ilir Meta ka komentuar zgjedhjen e Klodian Brahos në krye të SPAK si edhe zgjedhjen e Endrit Shabanit, Avokat e Popullit.

Meta thekson se prania e tepruar e diplomatëve të huaj në atë sallë, më shumë shton pyetje për legjitimitetin dhe integritetin e KLP dhe procesit, se sa legjitimon produktin.

“Qershia mbi tortë ishte votim i hapur me dy emra, aq sa asnjë nga tre zonjat e KLP nuk guxoi t’i jepte një votë të vetme zonjës kandidate, qoftë edhe për guximin që pati për të kandiduar. Ndërkohë që prania e tepruar e diplomatëve të huaj në atë sallë, më shumë shton pyetje për legjitimitetin dhe integritetin e KLP dhe procesit, se sa legjitimon produktin. Nga kush po e mbronin procesin ata? Nga opozita, e cila u vetpërjashtua nga roli i saj nga procesi i vetingut e detyrimisht nuk mund të kishte rol në përzgjedhjen e asnjë prokurori të SPAK-ut. Nëse krijohet perceptimi se vetëm njëri nga ata të katërt, pra ai i “fotos” është i besuari se tre të tjerët janë “të dyshimtë”, kjo cënon shumë besueshmërinë e SPAK-ut dhe përbërjen e tij, kur ligjërisht çdo prokuror është i barabartë me tjetrin dhe roli i drejtuesit është shumë i kufizuar (sipas frymës së ndryshimeve kushtetuese). Por, meqënëse këtu, si në asnjë vend tjetër të Këshillit të Europës, SPAK është identifikuar me gjithë sistemin e drejtësisë (e sidomos gjykatat) ky lloj show është i kuptueshëm. Ndërkohë harrohet që 200 mijë dosje janë stivosur këto 10 vite dhe standardet e marrjes së drejtësisë në kohë dhe cilësi, janë përkeqësuar në mënyrë të pakrahasueshme jo vetëm me 10 vite më parë, por edhe me Vietnamin njëpartiak”, thotë Meta.

Më tej shton se problemi kryesor i opozitës nuk është fakti se nuk ka fuqi bllokuese, por qartësia e mesazhit, iniciativës dhe veprimit politik.

“Kur autokrati qëllon edhe kleptokrat, vetëm vjedhje duhen pritur edhe kur nuk i ka të domosdoshme apo të nevojshme. Jam krenar që deputetët e Partisë së Lirisë mbështetën zonjën Adriana Kalaja, një personalitet i hekurt i mbrojtjes së interesit publik dhe luftës kundër korrupsionit. Opozitës nuk i lejohet spontaniteti në këto kushte të jashtëzakonshme që ndodhet për shkak të ballafaqimit me një regjim mafioz që investon çdo ditë për diversion e përçarje brenda opozitës. Iniciativa për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit kishte rëndësi të madhe politike jo se do e shkarkonte atë, por për të denoncuar shkatërrimin e parlamentarizmit nga shumica, por kur në fund votohet nga aq pak deputetë të opozitës, është zhgënjyese. Problemi kryesor i opozitës nuk është fakti se nuk ka fuqi bllokuese, por qartësia e mesazhit, iniciativës dhe veprimit politik.

Në këto 35 vite kemi dy raste kur opozita në Kuvend edhe pse në numra ishte më pak e rëndësishme se sot, por pati një impakt shumë të fuqishëm në publik. Rasti i parë grupi parlamentar i PD në 1991 dhe rasti i dytë grupi parlamentar i PS në 1992”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb