TIRANË- Avokati i Popullit Igli Totozani ka zhvilluar sot një takim me mjekët, me të cilët ka diskutuar për vendimin e marrë nga qeveria që ka të bëjë me testimin e tyre. Totozani është shprehur bindshëm kundër testimin, duke kërkuar tërheqjen e kësaj iniciative, ndërsa tha se i ka dërguar një rekomandim Ministrit të Shëndetësisë në lidhje me këtë çështje.

“Pata një takim me mjekët në lidhje me testimin. Kemi kohë që e ndjekim këtë problem, nuk ishte takim i pari. Kemi përgatitur një rekomandim pasi kemi analizuar këtë iniciativë. Kemi arritur në një përfundim se kjo iniciativë duhet të tërhiqet. I kemi dërguar ministrit, një rekomandim sugjerues, parandalues. Shkel parimin e të drejtave. Çdo qytetar i këtij vendi duhet të gjendet në një jetë personale dhe profesionale të parashikueshme. Në këtë kuptim për ne është e papranueshme, duke qenë se mjekët kanë një jetë profesionale të parashikueshme, formimi individual, marrja e licencës, diplomës, që në mënyrë të papritur të futet në axhendën e tyre një element i paparashikuar nga ta”, tha Totozani.

Avokati i Popullit u shpreh gjithashtu se mjekët duhet të ishin konsultuar më parë për këtë testim, në mënyrë që procesi të ishte sa më transparent.

“Një nga elementët e qeverisjes së mirë është pjesëmmarja dhe transparenca. Organizatat e mjekëve duhet të konsultoheshin për ndërmarrjen e kësaj iniciative. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një qeverisje e mirë. Së treti, duhet të jetë transparent si proces, pra mjekët duhet të njihen me këtë ndërmarrja në mënyrë paraprake. Së fundmi, duhet të kemi kujdes me shërbime të tilla si i mjekëve, pasi besimi i publikut tek ta është elementi bazë për një marrëdhënie me pacientin”, tha Totozani.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb