Ëndërronte të ndërtonte një fermë me parametra të BE në fshatin e tij, në Samaticë të Beratit dhe u kthye nga Holanda në vitin 2010 për të bërë realitet ëndrrën e tij. Jo vetëm që nuk mundi, por falimentoi pak muaj më parë. Dashamir Çela u nis sërish si emigrant drejt Gjermanisë për të punuar, pasi iu refuzua mbështetja me subvencion nga programi IPARD, dhe arsyeja lidhej me distancën e stallës nga banesa.

Në fshat tani jetojnë nëna, gruaja dhe fëmijët, ndërsa Dashamiri punon në Gjermani për të larë kredinë që mori, në vend të mbështetjes që priste nga programi IPARD.

Dashamir Cela
Dashamir Cela

Nëna e Dashamirit, Sabire Çela tregon se djali i saj ka një muaj që ka ikur.

“Ai me tha ‘mama do iki dhe po arrita të stabilizohem do ju marr edhe juve’. Ne kemi marrë vetëm kredi 70 milionë lekë, do lahen avash-avash. Stalla ka 6 vjet që është ndërtuar dhe bën 3 vjet që po falimenton. Ka investuar shumë dhe vuante me shpirt e me zemër, por falimentuam. Bëmë letrat për grantet, por na thanë se stalla duhet të ishte 500 metra larg shtëpisë. I kemi të tëra letrat dhe nuk morëm gjë. Ai atje punon me alumine, jo me stalla. Hoqi dorë nga puna këtu për të larë borxhet”, thotë nëna e Dashamir Çelës.

Edhe e shoqja e Dashamirit, Blerina tregon për Neës24 arsyet se përse bashkëshortit të saj iu desh të linte familjen e të shkonte emigrant në Gjermani.

“Ne kemi marrë mbi 70 milionë lekë kredi. Me punë ne nuk e vazhdonim dot këtë punë dhe Dashamiri u detyrua që të shkonte jashtë vendit për të fituar para. Ne kemi falimentuar, nuk kam për turp ta them. Dashamiri ka lënë 3 fëmijët me nënën. S’kemi marrë as 10 lekë nga shteti. I kemi bërë të gjitha me kredi. Kjo stallë është e falimentuar, nuk e di a mund t’ia dalim apo jo. Unë dua ta mbaj punën, por nuk bëhet. Me vajzën 15 vjeçe punojmë deri në 3 të mëngjesit. Po deshët mund ta verifikoni. Jam e vetme se po të kisha aq lekë mund ta merrja dhe unë një punëtor, por i bëj të gjitha vetë sepse kur vjen boti në 5 të mëngjesit të marrë qumështin unë duhet të jem aty për ta furnizuar”, shprehet Blerina Çela.

Drama e Dashamirit është si ajo e shumë fermerëve shqiptarë, që po detyrohen të largohen, pasi nuk arrijnë të mbijetojnë me aktivitetin e tyre në Shqipëri. Ndërkohë fonde që duhen të shkonin për mbështetjen e Dashamirit dhe fermerëve si ai, iu janë dhënë personave të tjerë, që nuk merren as me bujqësi e as me blegtori, por që janë të lidhur me inceneratorët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb