TIRANE- Avokati i Popullit, Igli Totozani, referuar situatës së pritshme të ardhjes në territorin shqiptar të refugjatëve, që largohen nga zonat e luftës, kryesisht sirianë, shprehu qëndrimin e institucionit dhe një seri me kërkesa drejtuar strukturave të posaçme të shtetit shqiptar.

Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, tha se Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim me të drejta të plota në Bashkimin Europian dhe si e tillë duhet të reagojë dhe të sillet si një shtet europian me të gjithë qytetarët në nevojë, të cilët do të hyjnë në territorin e saj për t’i shpëtuar luftës.  “Çdo qenie njerëzore që hyn në territorin e Shqipërisë duhet t’i jepet mbrojtje dhe duhet trajtuar sipas konventave ndërkombëtare dhe ligjeve në fuqi. Të drejtat e çdo njeriu janë pjesë e kompetencës së Avokatit të Popullit. Të gjithë refugjatët që do të vijnë në Shqipëri duhet të trajtohen si të barabartë me qytetarët shqiptarë. Atyre duhet t’u garantohen të drejtat e njeriut, si dhe dinjitet i pacenuar njerëzor”, tha z. Totozani.

Avokati i Popullit  bëri thirrje në mënyrë të veçantë për trajtimin dhe mbrojtjen e fëmijëve e sidomos  atyre të pashoqëruar, që pritet të vijnë në Shqipëri me fluksin e refugjatëve nga Siria.

Avokati i Popullit ka gati një strukturë të posaçme monitorimi që do të funksionojë në terren për monitorimin e kushteve pritëse nga ana e shtetit shqiptar, për këta qytetarë, që tentojnë t’i shpëtojnë luftës, duke ikur nga vendi i tyre. Monitorimi i Avokatit të Popullit do të përfshijë edhe strukturat shtetërore, në mënyrë që ato t’u vënë në dispozicion të gjithë refugjatëve mundësitë dhe lehtësitë ligjore që u garantohen nga Konventat ndërkombëtare, ku shteti shqiptar ka aderuar.

  1. Totozani theksoi gjithashtu se është mjaft i rëndësishëm edhe bashkëpunimi rajonal dhe më gjerë në të gjithë Europën Juglindore, lidhur me këtë problem. Edhe për faktin se ky fluks emigrator është një situatë që kërkon koordinim dhe gjithëpërfshirje, për të garantuar mbrojtje të lirive dhe të drejtave për njerëzit në nevojë, por edhe evokim të vlerave të humanizmit në shoqërinë tonë.

Avokati i Popullit i ka nisur edhe disa rekomandime drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit për të garantuar kapacitete pritëse dhe akomodim të denjë për refugjatët. Ndërsa vijon puna për monitorimin e rikthimit në atdhe të azilkërkuesve shqiptarë të kthyer nga shtete të ndryshme të Europës Perëndimore.

Drejtori i përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin, Genc Merepeza, tha se aktualisht kapacitetet e Shqipërisë për t’i sistemuar refugjatët janë të limituara.

“Nëse fluksi shtohet në kufij, kemi marrë masa për çdo skenar të mundshëm. Qëllimi ynë nuk është të vendosim gardhin në kufij. Ne nuk e dimë saktësisht çfarë presim gjithë rajoni po përgatitet. Deri në qershor 1800 refugjatë erdhën në Shqipëri. Asnjë nuk ka pranuar të qëndrojë, dhe kaluan në Mal të Zi. Nga refugjatët do marrim të dhënat biometrike. Ne kemi ndarë informacione me fqinjët tanë, që refugjatët të regjistrohen vetëm një herë në kufi. Shqetësimi ynë më i madh është se mos shtetet e tjera mbyllin kufijtë”, tha Merepeza.

Ndërkaq, përfaqësuesja e UNCHR, Marie Verney, tha se “ne nuk e prisnim kurrë një krizë të tille në Europë. Kam parë vullnet dhe përfshirje të autoriteteve shqiptare. Nëse vijnë këtu 10.000 refugjatë në ditë duhet t’i trajtoni me humanizëm”.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb